3 korrik 2008 - Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvillon mbledhjen e konstituimit
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e enjte, më 3 korrik 2008. Mbledhja e konstituimit të Komisionit u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, ndër të tjera, theksoi se reforma zgjedhore është ndër angazhimet më të rëndësishme.
Pas votimit të Kuvendit për ngritjen Komisionit për Kodin Zgjedhore, sot është mbledhja e parë e këij Komisioni. Unë jam sot për tju uruar punë të mbarë. Është një ndër angazhimet më të rëndësishme që ky komision dhe më pas Parlamenti ka për të përmbushur në raport me shqiptarët, me veten, por edhe me kërkesat e ndërkombëtarëve. Besoj se ky projekt do ti nënshtrohet një punë intensive. Kam informacion se ekspertët kanë punuar paraprakisht dhe ju mund të shfrytëzoni punën e ekspertëve për të analizuar më pas rrugën e duhur dhe për të mbyllur me gjithë angazhimin këtë proces brenda muajit korrik. Ky komision është ndërtuar mbi një format të ri, duke krijuar mundësitë për vendimmarrje të shpejtë, por dhe transparente. Jep mundësi që puna të konkludohet dhe të realizohet më shpejt. Keni në dispozicionin tuaj të gjithë stafin dhe byronë juridike. Jam e gatshme të plotësoj të gjitha detyrimet që kam si Kryetare e Kuvendit në mbështetje të punës suaj. Jam e gatshme tju ndihmoj, por gjithsesi doja tju uroja punë të mbarë duke shpresuar që përveç axhendës parlamentare që keni, të gjeni mundësinë për ta mbyllur brenda korrikut këtë proces, sepse kjo reformë është një nga kushtet më të rëndësishme dhe një nga angazhimet më të rëndësishme, tha Kryetarja Topalli. Më pas, bashkëkryetarët Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafa, si dhe anëtarët e tjerë të Komisionit shprehën angazhimin e tyre personal, si dhe vullnetin e forcave politike që përfaqësojnë për të punuar intensivisht me hartimin e dispozitave, me qëllim që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati brenda muajit korrik.
Në mbledhjen e tij të parë, Komisioni zgjodhi zotin Arian Madhi si Sekretar të tij dhe miratoi rregulloren e punës. Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .