E Shtunë, 31 Tetor 2026

“10 kushtet e Ramës po e vonojnë integrimin”

27-09-2011 / Gazeta 55

Arben Malaj, deputet i PS-së

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj paralajmëron lidershipin e selisë rozë se opozita do jetë përgjegjëse nëse progres - raporti i Komisionit Evropian nuk rekomandon dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat në BE. Sipas deputetit Malaj, ky mesazh negativ i Brukselit mund të vijë nëse mazhoranca dhe opozita nuk votojnë ligjet me shumicë të cilësuar në parlament. “Nuk duhet ta fshehim faktin se mosmiratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, ku mungonte përgjegjshmëria edhe e mazhorancës, qoftë duke u lodhur në dëshirën për të bashkëpunuar tashmë e humbi rëndësinë imediate për të bindur lidershipin në Europë se politika shqiptare kishte vënë prioritetet e vendit mbi debatet e brendshme politike. Është momenti që patjetër të diskutohet për të dalë nga kjo krizë permanente dhe për të krijuar një shpresë të re për reforma thelbësore që ka vendi. Në këtë kontekst çdo iniciativë për një pakt, plotëson diçka që mundon në ambientin politik shqiptar”, u shpreh Malaj. Deputeti socialist kërkoi nga mazhoranca që të ofrojë maksimumin e saj që propozimet e opozitës të merren parasysh.
“Nuk jemi në të njëjtin presion. Natyrshëm, çdo vonesë e mëtejshme për ligjet që janë të përqendruara në reforma të rëndësishme në gjyqësor dhe ekonomi duhet eliminuar në mënyrë maksimale. Jam i bindur se, tashmë mazhoranca nuk duhet të bëjë të njëjtin presion për miratim imediat të këtyre ligjeve, por, në qoftëse do të vonohet bashkëpunimi dhe në qoftëse mazhoranca nuk do të ofrojë maksimumin që këto ligje të marrin parasysh propozimet e opozitës, ne do të krijojmë pengesa të cilat do t’i ndiejmë”, tha më tej anëtari kryesisë së PS, Arben Malaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›