E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qoftë aventura e fundit e një të handakosuri në tru!

27-09-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Që të vijmë te titulli, më duket se  na del përpara pyetja se përse ajo mendësia totalitare e trashëguar (enverizmi) është si ajo bima e helmuar, tepër e vështirë për t’u shkulur nga rrënjët. Josif Broz Tito e zhduku stalinizmin nga vendi i tij, me të vetmen metodë të mundshme, për të shkulur nga rrënjët: me metodat staliniste! Goli Otoku u bë tmerr për stalinistët e paepur: Ata u depersonalizuan në atë farë feje, sa ulërinin kundër Stalinit nga mëngjesi në darkë! Ndonëse qanin me dënesë se ishin penduar sinqerisht, ata duhej të rriheshin për vdekje me njëri-tjetrin me sharjet kundër Stalinit; dhe mundësi, që e kishte çuar në botën tjetër kundërshtarin, mund të hynte në kategorinë e disi të penduarit!
Është një histori interesante që do të donte një shkrim më vete. Për tani, këtë subjekt e mbyllim, duke cituar komunistin që u shndërrua në antikomunist, bashkëpunëtorin e afërt të Titos, që ishte i lumtur që bëri vetëm 9 vjet burg, vite që iu dukën si parajsë,  në krahasim me burgun e stalinistëve!
***
Thoshin vesh më vesh  se Enver Hoxha, në vitin 1956, u bë kockë e lëkurë kur idhulli i tij, Stalini, u demaskua në BS. Ishin vitet e destalinizimit nga ana e Krushovit, në Kongresin XX. Krimet e Stalinit u shpalosën, fillimisht, me dyer të mbyllura.  Por e fshehta nuk vonoi të zbulohej. Nuk vonoi që Krushovi të shpaloste hapur krimet e Stalinit. Kjo kishte shkaktuar një frymëmarrje të lehtë ngazëllimi. Stalinit i ranë kurorat e lavdisë në të gjithë botën. Në botën demokratike partitë staliniste filluan të ndërronin emrin. Në lindjen europiane u hoqën statujat e Stalinit. Edhe në kontinentet e tjera. Në Shqipëri, në Konferencën e Tiranës, u zgjuan zëra të guximshëm, që folën për abuzimet e Bllokut dhe po tregoheshin ashiqare disa të vërteta tronditëse: Se si gratë e udhëheqjes vinin për një dhëmballë në Francë dhe lindnin në maternitetet e Europës, ndërsa në vend vdisnin njerëzit për një apendicit. Byroistëve po u numëroheshin veturat: për personin e tyre, për familjen, autovetura për psonisje, etj...Djemtë e vajzat e Bllokut, që kishin parë botë me sy, zdërhalleshin me revistat eksituese që kalonin nga rrethi qendror, nëpër ambientet e rinisë së azdisur, në rrethin e dytë, pranë Bllokut.
Kishte ndodhur ajo dukuri, që e kishte parashikuar disidenti jugosllav, në rangjet e larta pranë Titos: Diferencimin e bënte, sipas tij,  “klasa e re”, ajo e privilegjuara, që rronte në luks, ndërsa populli  ushqehej me propagandë të një mirëqenieje false. Liberali, që e shpalli veten antikomunist e pagoi me 9 vjet burg disidencën e tij.
E. Hoxha, i mbytur gjer ne grykë me krime, me dinakëri filloi të kritikonte kultin e individit të atit të tij shpirtëror, (por edhe paksá kultin e vet ); filloi të thoshte, sa të merrte veten, se “janë bërë edhe gabime që do të rregullohen”; pra,  t’i thoshte derrit dajë.
Enveri e uli noçkën dhe pranoi për vizitë Krushovin, që u prit me nderime të mëdha. I premtoi, madjé, udhëheqësit sovjetik, se do t’i ndreqte marrëdhëniet me Jugosllavinë titiste, duke iu përgjigjur djallëzisht trysnisë së udhëheqësit të ri sovjetik. Nëpër mbledhje E.H. kishte përdorur dinakërinë e njeriut të butë, të dashur... jemi vëllezër, janë keqtrajtuar si shumë nëpër kampe internimesh, shqiptarë janë edhe ata, do t’u shtohet një çikë supa (pa yndyrë) dhe racioni i bukës (me myk).
Nuk kishte alternativë tjetër. Në Hungari ishte rehabilituar Rajhu dhe në Bullgari Kostovi. Por Enveri nuk mund të rehabilitonte Koçin, përndryshe do të binte vetë nga fiku.
Sa i përgjumi paksa ata që e ngritën disi më tepër zërin (veçanërisht në Konf. Tiranës) dhe sapo e zotëroi përsëri gjendjen, i nxori sërish kthetrat. Me një egërsi të shumëfishuar.
Stalini nuk u rrëzua nga piedestalet tona, paçka se nuk përmendej më me cilësorët e Stalinit të Madh.  Ky yni druhej se do të dilte antishqiptarizmi i Stalinit me atë “gëlltitjen” që u mor vesh ç’kuptim kishte. Shkurt, duke e quajtur Stalini vendin tonë si plaçkë tregu, dilte, si rrjedhojë,  edhe antikombëtarizmi i Enverit...
Jemi, tanimë, në kohën kur duhej të hanim edhe bar, për të mbrojtur parimet! “Klasa e re” e privilegjuar, që jetonte me të gjitha të mirat për hir të agresivitetit ndaj të pambrojturve, e ruajti të gjallë nostalgjinë për Enverin, edhe për 34 vjet të tjera, gjer në vitin 1990, kur ra diktatura; por u ruajt mendësia enveriste. Edi Rama, të cilit nuk ia besuan “antikomunizmin” e tij fiktiv (1991), ja që na u bë, pas mënxyrës revolucionare të 1997-s,  një enverist i tërbuar, duke asfiksuar brutalisht, më vonë,  mendimin e tij brenda radhëve sapo mori huqet e Enverit. Paçka se e kishte pas telendisur Ramiz Alinë! Tani ky mund të ishte edhe konsulent, si një eminencë gri, për inkoherencat e pashterueshme të Edvinit.
Kështu u verifikua në praktikë ajo profecia e disidentit M. Gjilas, e “klasës së re” e shteteve totalitare staliniste, që vinte përballë njerëzit e uritur dhe të kërcënuar nga fjala më e vogël kundër sistemit, me oligarkinë komuniste që shfrytëzonte gjer në palcë  mjeranët thuajse të papaguar.
Kjo oligarki që zotëroi Shqipërinë edhe për 34 vjet pas destalinizimit, pati rastin të forcohej në vendin tonë edhe për 1/3-të të shekullit dhe të krijonte atë mendësi enveriste, - nën rrogoz, por edhe hapur fare, - që e zvarriti si askund në vendet ish-komuniste, atë periudhë tranzicioni, që u zgjat trishtueshëm në vendin tonë.
Pas ndërrimit të sistemeve, u ndërrua edhe emri i partisë së Enverit, PPSH-së. PSSH-ja u vetëshpall  jo si pasardhëse e së parës, por si parti e denjë për të qenë pjesëmarrëse në proceset demokratike (!). Shpalli edhe “rinovimin e saj” që nuk vonoi të vërtetohej si një truk demagogjik. Sepse në radhët e saj ishte, tashmë, i inkluduar i gjithë kontingjenti i mëkatarëve të kohës së diktaturës. E majta jonë me tipare europianiste mbeti vetëm LSI-ja, që u shkëput nga PSSH-ja, me programin e saj për integrim, që përligjej edhe nga emblema e saj në flamurin e Partisë. Një pjesë e madhe e LMN-së ishte, po ashtu, me frymëzim perëndimor, me parimet e shpallura hapur nga një elitë e përbërë prej K. Islamit, A. Harasanit, E. Haxhiymerit, E. Sherifit... , që ishin koherentë në mendimet e tyre pro komunitetit europian.
Por pjesa e majtizmit shqiptar, ajo që mbështeti E. Ramën për të uzurpuar kreun e PS-së, në dhunim të nenit 28 të statusit të saj, ajo që përbëhej nga enveristët fanatikë (të përzgjedhur nga Rama) që morën ironikisht emrin e kongresmenëve në atë forum zgjedhor, të përmbushur me gjysminjorantë që s’dinin t’u përgjigjeshin gazetarëve që bënin gallatë duke i pyetur se ç’ishin kongresmenët, ajo pjesë e majtizmit, pra, që zgjodhi Edin si kryetar, ia dinte prapësitë këtij antikomunisti fals. Por ia njihte edhe ambicien patologjike për pushtet vetjak. U krijua ajo simbiozë: më shërbe, të të shërbej. Kështu, ata antiperëndimorë që e vunë nën zgjedhë, nuk janë të zhgënjyer. Është i përzgjedhuri më adapt, për ta zvetënuar demokracinë shqiptare dhe aspiratën e saj euroatlantike.
Tani Edvini është përpara aventurës së fundit. Ndërsa shpalli se do të hynte seriozisht në parlament dhe se do të hiqte dorë nga kushtëzimet për marrëveshjen e plotësimit të prioriteteve për kandidaturën shqiptare në BE, përpilon listën e re, me 10 kushtëzime të reja! Ato kushtëzime mund të përmblidhen në një fjali të vetme: Pushtetin që s’e mora dot me zgjedhje, ma jepni në tavolinë!
Qoftë aventura e fundit e një të handakosuri në tru!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›