E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në SHBA promovuam arritjet dhe sukseset e Shqipërisë

27-09-2011 / Gazeta 55

Pas kthimit nga vizita në Nju Jork ku mori pjesë në punimet e asamblesë së 66-të të OKB, kryeministri Berisha thërret mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Momenti më kulmor në Nju Jork, takimi me Presidentin e SHBA-ve Barack Obama. “Korporatat e fuqishme amerikane shfaqën interes për investime. Priten financime të fuqishme në sektorin energjetik”

Kryeministri Sali Berisha informoi dje deputetët e Partisë Demokratike rreth vizitës së tij në  Nju Jork dhe takimet që ka zhvilluar me personalitete të larta të Europës dhe të botës, gjatë punimeve të sesionit të 66-të të asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se para nisjes për në Nju Jork, delegacioni përcaktoi edhe 3 objektivat kryesore si takimet intensive politike, lobimi për njohjen e Kosovës dhe promovimi në mediat amerikane të potencialeve të Shqipërisë. “Dëshiroj t’ju informoj mbi rezultatet e vizitës sime në kryeqytetin e botës, Nju Jork-un, vizitë e cila ishte më intensivja, por edhe më e zgjatura e të gjithë karrierës sime politike. Në Nju Jork ndodheshin krerët e shteteve, qeverive dhe përfaqësues të tjerë të lartë të të gjitha vendeve të botës për të marrë pjesë në sesionin e 66-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sesion që pritej me interes shumë të madh për vetë problematikën thelbësore të kohës sonë që do të trajtonin burrat dhe gratë e shteteve nga e mbarë bota, pjesëmarrës në këtë sesion. Para nisjes, delegacioni ynë përcaktoi tre drejtime themelore të punës së tij. Së pari, veprimtari intensive politike për të paraqitur para zyrtarëve më të lartë të Evropës dhe botës, Shqipërinë, arritjet, përpjekjet dhe vizionin  e saj. Së dyti, për të lobuar me të gjithë potencialin e mundshëm për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Drejtim tjetër themelor i veprimtarisë sonë në Nju Jork, çka do të përbënte një risi madhore të këtij viti, ishte organizimi i Forumit të parë Amerikan për Biznesin në Shqipëri, në kryeqytetin botëror të biznesit dhe afarizmit. Drejtimi i tretë, si dhe në këtë kontekst takime intensive me drejtues kryesor të korporatave të këtij vendi të madh të interesuar në fushën e energjisë, minierave, hi-tech dhe çdo fushe tjetër. Drejtim tjetër kryesore ishte, pas një përputhje me pasionin tim për mediat, përdorimi i mundësive që të jep kryeqyteti mediatik i botës për të paraqitur edhe ne, në copën e diellit që na takon, Shqipërinë, arritjet, përpjekjet e saj, para publikut njujorkez, amerikan dhe mbarë botës në këto media”, u shpreh kryeministri Berisha.
Veprimtaritë politike u konkretizuan me një seri takimesh, bisedash dhe shkëmbim mendimesh, pothuajse, me të gjithë të mëdhenjtë e kësaj toke që ndodheshin në atë sesion. Kryeministri Berisha takoi në Nju Jork presidentin Barack Obama, Presidentin e Këshillit Evropian Van Rompuy, kryeministrin e Japonisë, presidenten e Brazilit, kryeministrin e Britanisë, kryeministrin e Suedisë, presidentin e Hungarisë, presidentin e Çekisë, kancelarin e Austrisë, presidentin e Austrisë, presidentin e Sllovenisë, presidentin e Kroacisë, kryeministrin e Norvegjisë, kryeministrin e Malit të Zi, kryeministrin e Gjeorgjisë, zëvendëskryeministrin e Luxemburgut, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, të Holandës, të Belgjikës, një takim mbresëlënës me kryetarin e Këshillit Tranzitor të Libisë Mahmoud Jibril, Kryeministrin e Bangladeshit, Kryeministrin e Turqisë, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes Arabe, ministrin e Jashtëm të Australisë, Kryeministrin e Kuvajtit, Presidentin e Polonisë dhe shumë të tjerë.
Berisha vlerësoi se momentet më kulmore ishin dy veprimtaritë e organizuara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
“Një prej tyre ishte ftesa që Presidenti Obama më kishte dërguar për të marrë pjesë në drekën që ai shtroi për të lançuar partneritetin për qeveri të hapur, së bashku me Presidenten e Brazilit Dilma Rousseff. Ky ishte një rast shumë i veçantë për të takuar kryetarë shtetesh dhe qeverish të rreth 70 vendeve të botës që u anëtarësuan apo ishin anëtarësuar në këtë nisme të re, shumë të rëndësishme. Kjo nismë synon apo ka si qëllim transparencën e qeverisë dhe qeverisjes, pushtetërimin e qytetarëve, pra qytetari i pari, ka si synim përdorimin maksimal të teknologjisë së informacionit në funksion të komunikimit dhe transparencës ndaj qytetarëve. Nisma mbështetet në një dokument të përbashkët, i cili ka 46 objektiva. Nuk është e rastit anëtarësimi dhe ftesa që i është bërë Shqipërisë për tu anëtarësuar në këtë nismë. Ftesa që iu bë Shqipërisë për tu anëtarësuar në këtë nismë ka si bazë përpjekjet e Shqipërisë për një qeveri transparente, të hapur, për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Në aktivitetin politik veprimtaria tjetër ishte e lidhur po me Presidentin Obama. Në pritjen që Presidenti Obama jep për të gjithë kryetarët e delegacioneve nga e mbarë bota, një pritje sa madhështore aq dhe e ngrohtë e miqësore, ku Presidenti i kushton një kohë të shkurtër gjithsecilit prej tyre në momentin e fotos miqësore që bëhet më të, por edhe më pas. Ndërkohë, pritja është një mundësi e jashtëzakonshme për të biseduar me secilin nga të pranishmit për problemet që mendon se duhet të bisedosh. Është një ceremoni, e cila zgjat rreth 3 orë dhe të krijon një oportunitet të pakrahasueshëm, unik në karrierën tënde. E vërteta është që pata shumë kënaqësi për takimin me Presidentin Obama, fjalët e tij të ngrohta për Shqipërinë. Dhe unë i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti Obama e pranoi me kënaqësi”, deklaroi Berisha, duke theksuar se krahas kësaj pritjeje, në Nju Jork pati mundësi të jetë i ftuar në pritjen e kryeministrit të Japonisë, Yoshihiko Noda, vend mik ky që i ka dhënë Shqipërisë mbështetje maksimale këto 20 vite, si dhe takime të tjera shumë të përzemërta me kryeministra dhe ministra nga vende të ndryshme të Europës dhe botës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›