E Diel, 1 Nëntor 2026

10 talentet që do shkëlqejnë në eliminatoret 2012



1. Xhek Uillshajër (Angli, 18 vjeç, 1 ndeshje me kombëtaren)
Mesfushori i Arsenalit bëri debutimin me përfaqësuesen e “3 luanëve” muajin e kaluar dhe mund të jetë një nga xhevahirët e Fabio Kapelos në eliminatoret e Evropianit. Me “Topçinjtë” 18-vjeçari ka dëshmuar aftësi në organizimin e lojës, kontrollin e topit, driblim dhe nuhatjen për gol.

2. Tomas Myler (Gjermani, 20 vjeç, 8 ndeshje me kombëtaren)
Vetëm një vit më parë sulmuesi bëri debutimin me Bajernin në Bundesligë. Në botërorin e Afrikës së Jugut fitoi “Këpucën e artë” dhe e gjithë Gjermania i ka sytë te talenti bavarez në fushatën drejt Euro 2012-ës.

3. Sercan Yildirim (Turqi, 20 vjeç, 6 ndeshje me kombëtaren)
Sulmuesi do të luajë në Ligën e Kampionëve me kampionët e Turqisë, Bursaspor, pas formës së shkëlqyer në superligën vendase sezonin e kaluar. Golin e parë me kombëtaren e ka shënuar vitin e kaluar në miqësoren me Estoninë dhe Gus Hidink pret shumë prej tij.

4. Romelu Lukaku (Belgjikë, 17 vjeç, 3 ndeshje me kombëtaren)
Ai konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të furbollit evropian në ditët e sotme. Jo më kot çelsi ishte një nga të interesuarit e shumtë për ta rrëmbyer. Megjithatë sulmuesi do të vijojë të luajë te Anderlehti, klub me të cilin do të debutojë në Ligën e Kampionëve.

5. Pavel Mamaev (Rusi, 22 vjeç, asnjë ndeshje me kombëtaren)
Mesfushori i CSKA Moskës ka kaluar nga ekipi U-21 i Rusisë dhe së shpejti do të veshë fanellën e ekipit të parë. Mund të luajë në pozicione të ndryshme në mesfushë dhe ka aftësi të mira në organizimin e lojës.

6. Mamadu Sakho (Francë, 20 vjeç, asnjë ndeshje me kombëtaren)
Qendërmbrojtësi ka qenë kapiten në ekipet e të rinjve të Francës dhe së fundi ka rënë në sy me cilësitë e tij në ekipin e Paris Sën Zhermenit. Madje fitoi edhe shiritin e kapitenit, duke u bërë kapiteni më i ri në historinë e kampionatit francez. Loran Blank me siguri ka për t’i bërë një vend në kombëtaren e reformuar të Francës.

7. Miralem Pjaniç (Bosnjë-Hercegovinë, 20 vjeç, 16 ndeshje me kombëtaren)
Megjithëse vetëm 20 vjeç, mesfushori që luan për Lionin ka një përvojë prej 16 ndeshjesh në kombëtaren ballkanase. Së bashku me talentet e tjera të Bosnjës (Dzeko, Misimoviç, Salihoviç etj), Pjaniç do të synojë të kalojë grupin D ku bën pjesë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë.

8. Ola Toivonen (Suedi, 24 vjeç, 8 ndeshje me kombëtaren)
Në sezonin e parë me Psv Eindhovenin sulmuesi realizoi gjashtë gola në katër ndeshjet e para duke tërhequr vëmendjen e Liverpulit. Së bashku me Zllatan Ibrahimoviçin ai do të formojë dyshen e slumit të Suedisë drejt kampionatit Evropian, në një grup ku bën pjesë edhe Holanda.

9. Xherdan Shaqiri (Zvicër, 18 vjeç, asnjë ndeshje me kombëtaren)
Mesfushori i Bazelit ishte një nga surprizat e Otmar Hitsfeldit në Kupën e Botës, megjithëse nuk e provoi shijen e debutimit. Me klubin zviceran ka treguar formë të shkëlqyer dhe të njëjtën gjë talenti i lindur në Gjilan të Kosovës pritet të bëjë edhe me përfaqësuesen, me objektivin pjesëmarrjen në Poloni dhe Ukrainë.

10. Mario Baloteli (Itali, 20 vjeç, 1 ndeshje me kombëtaren)
“Djali i keq” më në fund veshi fanellën e kombëtares A të Italisë muajin e kaluar në miqësoren kundër Bregut të Fildishtë në Londër, por pritet të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës së çezare Prandelit pas dështimit të axurrëve në Kupën e Botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›