Fqinjët hapin festivalin e aktrimit
Një javë teatër në qytetin e Fierit. Edicioni i shtatë i Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit "Apollon '08" ngre siparin sot në mbrëmje. Tetë trupa konkurrojnë në skenën e teatrit "Bylis". "Fqinjët" shkruar nga Rruzhdi Pulaha dhe regji të Dhimitër Orgockës hap festivalin. Ndërsa në netët në vazhdim do të prezantohet teatri "Petro Marko" i Vlorës me shfaqjen "Jo të gjithë vijnë për të vjedhur" nga Dario Fo me regji të Donald Hasanit, teatri "Aleksandër Moisiu" i Durrësit me pjesën "Të gjitha të njëjtën histori", e Dario Fo me regji të Driada Dervishit, Teatri Kombëtar me pjesën "Pamje nga ura" të Artur Miller dhe regji të Albert Mingës. Kompania private "Çajupi" sjell "Shërbëtoret" e Jean Genet me regji të Kiço Londos, ndërsa teatri profesionist i Pejës vjen me dramaturgun e njohur kosovar Ekrem Kryeziu. Sipas drejtorit të festivalit, Klajdi Marku, krahas shfaqjeve në konkurrim do të jenë edhe dy përshëndetëse, "Madeamaterial" e H. Myller nga Sardenja dhe "Bacchae" me regji të Nikos Dionysios nga trupa e teatrit shtetëror të Korfuzit. Teatri "Bylis" nuk do të jetë skena e vetme ku do të performohet. Rostika Kala dhe Apollonia janë dy destinacione të tjera që do të mirëpresin aktorët dhe publikun. Sipas Markut, edhe sivjet, gjatë ditëve të festivalit do të organizohen takime dhe diskutime mbi shfaqjet konkurruese, por dhe për probleme të teatrit në përgjithësi. Një veprimtari i është kushtuar dramaturgut dhe regjisorit kosovar Ekrem Kryeziu. Pas ngjitjes në skenë të shfaqjes së tij "Përplasja", do të ketë një takim për promovimin e dramaturgjisë së tij. Trupat pjesëmarrëse janë përzgjedhur nga bordi i festivalit dhe Enver Petrovci, ndërsa një juri e përbërë nga emra të njohur të teatrit do të përcaktojë edhe fituesit. Tinka Kurti, Niko Kanxheri dhe Bujar Asqeriu do të ndajnë çmimet e përvitshme të aktrimit. "Apollon ‚08" mbështetet financiarisht nga Bashkia e Fierit, ndërsa nuk ka ende një konfirmim nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ceremonia e ndarjes së çmimeve në skenën antike të Apollonisë mbyll mbrëmjen e 18 majit festivalin teatror.