E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatzënitë e padëshirueshme, 70% e grave fajësojnë burrat

Sipas një studimi të ISHP-së, gratë bëjnë përgjegjës burrat për shtatzënitë. Burrat, kundra abortit. Është mëkat!

Studimi

Shtatzëni të padëshirueshme e për pasojë edhe aborte që dëmtojnë rëndë shëndetin e gruas. E ndërsa planifikimi familjar është një ndër vendimet më të rëndësishme për çdo familje duket se ky proces është i dështuar, sidomos në zonat rurale. Të ndodhur përballë kësaj situate rreth 70 për qind e grave, përgjegjës për shtatzënitë e padëshirueshme bëjnë meshkujt. Ndërsa, nga ana tjetër, meshkujt jo vetëm që nuk ndihen plotësisht përgjegjës, por janë edhe kundra aborteve. Ky është rezultati i studimit "Problematikat e Planifikimit Familjar" realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Studimi është realizuar në zonat rurale në Lezhë, Shkodër dhe Korçë, në të cilën janë përfshirë mijëra gra dhe meshkuj të intervistuar.

Shtatzënitë

Femrat theksojnë se në shumicën e rasteve përgjegjës për shtatzënitë e padëshiruara janë meshkujt. Kështu, gjatë intervistave të tyre ato kanë pohuar se përgjegjëse për parandalimin e shtatzënive duhet të jenë të dyja palët, por gjithsesi ato theksojnë se burri ka më shumë në dorë për të parandaluar shtatzënitë e padëshirueshme. "Studimi tregon se tek femrat e intervistuara ndeshet opinioni se përgjegjës kryesor për një shtazani të mundshme është mashkulli. Jo pak, por 70 për qind e të intervistuarave, burrave ua kanë atribuuar përgjegjësinë për shtatzënitë e padëshiruara",- bëhet e ditur në studim duke shtuar se ky konkluzion lidhet me faktin që elementi kryesor për të parandaluar një shtatzëni të mundshme, është kujdesi dhe kontrolli i meshkujve. Ndërsa nga ana tjetër, po sipas studimit, meshkujt nuk ua faturojnë fajin vetëm vetes së tyre, por edhe grave. Në intervistat e tyre, ata theksojnë se përgjegjës për shtatzënitë janë të dyja palët njësoj. Megjithatë, gjatë intervistave, kishte edhe meshkuj që theksonin se përgjegjëse për një shtatzëni të padëshiruar janë femrat.

Abortet

Aborti konsiderohet për rreth 90 për qind të të intervistuarve si dukuri negative, si nga femrat edhe nga meshkujt. Madje këta të fundit, abortin e konsiderojnë edhe mëkat tepër të rëndë. Gjithashtu, rezultatet e studimit tregojnë se shumica e meshkujve shprehen se nuk do të lejonin të abortonin gratë e tyre edhe sikur të ndodhte ndonjë shtatzëni e padëshirueshme. Ndërkohë, specialistët e ISHP-së shpjegojnë disa nga pasojat e abortit. Ata e konsiderojnë si proces tepër negativ që dëmton shëndetin e gruas dhe gjendjen psikologjike të saj. Gjithashtu, po sipas specialistëve, aborti i parë ka mundësi që të ndikojë edhe në mosngeljen shtatzënë herë tjetër. Por pasojat mund të jenë edhe më të rënda, pasi gruaja mund të vdesë gjatë abortit. Ndërkohë, abortet mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme dhe probleme me mitrën. Aborti, po sipas specialistëve, është një eksperiencë traumatike dhe sjell vuajtje të madhe shpirtërore. Po ashtu, aborti sjell edhe lodhje fizike për femrën.

90 për qind e të intervistuarve janë kundra abortit, sipas studimit të ISHP-së

90 për qind e të intervistuarve shprehen se duan të kenë sa më shumë fëmijë

Pasojat e abortit

Aborti mund të rrezikojë seriozisht jetën e gruas

Aborti dëmton fizikun e gruas dhe gjendjen psikologjike të saj

Aborti i parë, ka mundësi që të ndikojë edhe në mosngeljen shtatzënë herë tjetër

Abortet mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme dhe probleme me mitrën

Aborti është një eksperiencë traumatike dhe sjell vuajtje të madhe shpirtërore

Aborti sjell edhe lodhje fizike dhe mendore për femrën

Sipas studimit të ISHP-së, 90 për qind e të intervistuarve duan të kenë fëmijë

Kushtet ekonomike, shkak për sa më pak fëmijë

Kanë dëshirë të kenë shumë fëmijë, por këtë e lidhin pikërisht me gjendjen ekonomike të familjes. Madje lindjen e fëmijëve e konsiderojnë si pjesën më të bukur të një martese, ndaj dhe rritje e fëmijëve vlerësohet si shumë e rëndësishme. Kështu, studimi i ISHP-së tregon se shumica e të intervistuarve kanë dëshirë të kenë sa më shumë fëmijë. "Mbi 90 për qind e të intervistuarve shprehen pozitivisht ndaj pasjes së shumë fëmijëve dhe kufizimi i vetëm për këtë dëshirë, janë kushtet social-ekonomike dhe mundësitë",- bëhet e ditur në studim. Sipas studimit, shumica e grave të intervistuara, numri mesatar i fëmijëve që dëshirojnë varion nga 2-4 fëmijë. Nga intervistat, po sipas studimit u vu re se shumë gra mendojnë se planifikimi familjar është i lidhur ngushtë me gjendjen ekonomike të familjes, në kuptimin që nëse një familje nuk është në gjendje të mirë ekonomike, duhet patjetër ta planifikojë numrin e fëmijëve për t'i rritur. "Pra, gjendja ekonomike shihet si një domosdoshmëri për sigurimin i kushteve sa më të mira të jetesës për fëmijët dhe gjithë familjen. Kjo është edhe arsyeja kryesore që kushtëzon shumicën e çifteve që të bëjnë sa më shumë fëmijë",- bëhet e ditur në studim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›