100 anëtarët e KK-së do të zgjedhin kupolën blu
05/01/2010 Këshilli Kombëtar i PD-së do të mblidhet në mes të muajit janar
Grupi i drejtuesve të rinj të Partisë Demokratike do të zgjidhen me votën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mes të këtij muaji. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në Kuvendin e PD-së më 14 dhjetor do të votohet për kryesinë dhe sekretariatin e PD-së. Të 100 anëtarët e Këshillit do të votojnë për 27 anëtarët e rinj të kupolës blu dhe për sekretarët e rinj. Në bazë të statutit të kësaj force politike, mbledhja e KK-së është atribut i kryetarit të partisë (ose e sekretarit të përgjithshëm me miratim të kryetarit) në marrëveshje me kryesinë e partisë. Këshilli i PD-së zgjedh me votim të fshehtë ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi 25 anëtarët e kryesisë së përgjithshme nga një listë ku numri i kandidaturave nuk duhet të jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen. Ndërkohë është e sanksionuar se numri i grave fituese nga këto zgjedhje nuk duhet të jetë më i vogël se 30% të përbërjes së kryesisë. Në garën për anëtarë të kryesisë pritet rivalitet mes rrymave apo grupimeve të brendshme në PD. Duke qenë më afër kryetarit të partisë Sali Berisha e duke qenë më të konsoliduar në përbërjen e kryesisë, rrjedhimisht ka më shumë peshë në vendimmarrjen politike. Gjatë mbledhjes së KK-së, që pritet të zhvillohet në mes të janarit, do të votohen edhe emrat që do të përbëjnë sekretarët e rinj të PD-së. Pritet që numri i sekretarëve të pësojë një rritje, çka është konfirmuar nga vetë kryetari Sali Berisha. Gjatë analizës së 100 ditëve të parë të punës së ekzekutivit të tij në mandatin e dytë qeverisës Berisha tha se përmes zgjedhjeve do të ketë një numër të zgjeruar sekretarësh. “Do të ketë risi, siç edhe pati ripërtëritje të Këshillit”, - tha ai. Megjithatë, pritet që në postet kyçe të sekretariatit të mos ketë lëvizje. Kështu, në postin e sekretarit të përgjithshëm pritet të rizgjidhet Ridvan Bode. Po kështu Jozefina Topalli e Astrit Patozi mendohet të rizgjidhen nënkryetarë të PD-së. Në postet e tjera në sekretariatin e PD-së do të ketë një garë mes figurave me peshë e që e njohin partinë.
Këshilli Kombëtar
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, të zgjedhur nga votimi i delegatëve të Kuvendit të 14 dhjetorit të kaluar, në bazë të statutit kanë kompetencë të zgjedhin kryesinë e përgjithshme të partisë dhe sekretariatin e saj. Sipas statutit, vendimet e KK-së merren me shumicë të thjeshtë votash. Mbledhjet e KK-së thirret nga kryetari i partisë dhe nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij.
Statuti i PD-së
Në Kuvendin Kombëtar të PD-së, mbajtur më 14 dhjetor 2009, u votuan për ndryshimet në statutin e partisë. Këto ndryshime nuk prekën atë pjesë që lidhej drejtpërdrejt me mënyrën e zgjedhjes të strukturave më të larta drejtuese të PD-së. Para votimit personalitete nga PD-ja kërkuan ndarjen e posteve partiake me ato në qeveri. Por këto pretendime nuk u bënë pjesë e propozimeve që iu përcollën Kuvendit për ndryshimet statusore.