Part-time, nisja e studimeve për vitin akademik
05/01/2010 Rishpërndarja nga MASH për vendet bosh
Tarifat e shkollimit sipas kësteve të përcaktuara për çdo program, kategoritë që përjashtohen
Fakultetet publike bëhen gati për çeljen e vitit akademik 2009-2010 për ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. Duke filluar nga kjo javë, kandidatët e regjistruar do t’u drejtohen auditorëve për të nisur procesin mësimor sipas programeve të përcaktuara nga secili prej institucioneve të arsimit të lartë që do të ofrojë këtë cikël studimesh. Për programet e ndryshme, që ende nuk i kanë plotësuar kuotat e pranimeve të miratuara, do të ketë një tjetër rishpërndarje fituesish të ndara në varësi të vendeve të mbetura bosh. Sipas udhëzimit të regjistrimeve të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pohohet se “kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit”. Bashkë me vendimin e kuotave të pranimit janë përcaktuar edhe tarifat e shkollimit, të cilat, ashtu si dhe vitin e shkuar, do të derdhen me këste të caktuara. Më poshtë do të gjeni të plotë listën e tarifave të studimit për studimet me kohë të pjesshme për të gjitha universitetet, së bashku me pagesat që duhet të derdhen për çdo këst.
Tarifa
Për secilin program derdhja e taksës shkollore do të bëhet me këste. Konkretisht dy janë kategorizimet e bëra për tarifat e shkollimit: ajo për 180 kreditet (për fakultetet e para), si dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, në programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve, që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj që do të vazhdojnë studimet në një program studimi me kohë të pjesshme në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje shtetërore janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat.
Përjashtimet
Një sërë kategorish studentësh do të përjashtohen nga pagesa vjetore e taksës së shkollimit. Kështu, studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Gjithashtu në rregulloren e pranimeve përcaktohet se do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit kandidatët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme, si program i parë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009-2010, që u përkasin këtyre shtresave shoqërore: të verbrit, të shurdhët, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kryefamiljaret (gratë) me fëmijë, kandidatët që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë sociale, si dhe fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit. Njëkohësisht këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore.
Tarifa sipas krediteve
Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Në varësi të tarifës së shkollimit të miratuar për secilin prej programeve në varësi të fakulteteve përcaktohet edhe shuma që do të jepet sipas kësteve.