E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet trupi i peshkatarit të zhdukur para 2 vitesh

05/01/2010  Familjarët e njohën nga rrobat
POGRADEC- Dilaver Maxari, 51 vjeç, banor i qytetit të Pogradecit me profesion peshkatar, i mbytur para dy vjetësh, u gjet nga peshkatarë të këtij qyteti. Trupi i pajetë vazhdonte të ruante veshjen e tij, por gjithsesi ai kishte pësuar një dekompozim të plotë. Megjithatë, familjarë të tij kanë mundur të bëjnë identifikimin e kufomës duke u bazuar kryesisht te veshja e tij. Informacioni i mësipërm u bë i ditur nga burime të policisë, të cilat pohuan se mëngjesin e së hënës, rreth orës 6.30 minuta, peshkatarë të qytetit të Pogradecit kishin gjetur te vendi i quajtur “Vilat qeveritare” në afërsi të Drilonit një trup të pajetë. Fill pas marrjes së njoftimit forcat e policisë janë gjetur në vendin e ngjarjes, ku kishin konstatuar edhe trupin e dekompozuar, ndërsa më pas do të realizohej edhe identifikimi i tij. Të njëjtët burime theksuan se peshkatari Dilaver Maxari kishte humbur që para dy vjetësh. Ai kishte dalë për peshkim dhe që nga ajo ditë nuk ishte kthyer më në shtëpinë e tij. Edhe pas kërkimeve të shumta nuk u bë e mundur gjetja e tij. Për këtë arsye, nga ana e policisë, ky person vazhdonte të figuronte i shpallur në kërkim. Tashmë pas dy vitesh, dallgët e liqenit kishin mundur ta nxirrnin atë në afërsi të Drilonit, ku peshkatarët kishin mundur të pikasnin trupin e kolegut të tyre. Gjithsesi, pas identifikimit të kufomës, policia ka kryer veprimet procedurale dhe hetimore, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për hetime të mëtejshme, të cilat do të ndihmojnë në qartësimin e rrethanat në të cilat është mbytur 51-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›