100 mijë në shesh për fushatën e fitores

Nga Sheshi “Nënë Tereza”, koalicioni i qendrës, i qendrës së djathtë dhe i të djathtës ka nisur fushatën për njërikonfirmim në qeverisje, e cila do të garantojë vazhdimin e projekteve dhe afrimin e shqiptarëve me Perëndimin. Mirëqenie, punësim, projekte madhore, marrja e statusit dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, premtimet e mazhorancës së kryeministrit Berisha për katër vitet që vijnë
Berisha: 23 qershori, dita e gjykimit ndaj ish-bllokmenëve, që po kërkojnë kthimin e një diktati shtetëror
Nga kryeqyteti i vendit, Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht fushatën e saj elektorale. E konceptuar si një koncert festiv, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të mirë në vend, sheshi “Nënë Tereza” mblodhi 100 mijë qytetarë të Tiranës, por edhe nga rrethet e tjera të vendit në mbështetje të forcës së tyre politike dhe aleancës së djathtë. Kreu i mazhorancës, Sali Berisha në fjalën e tij drejtuar elektoratit, theksoi se në zgjedhjet 23 qershorit përballen dy filozofi, ajo e bllokimit dhe e vokacionit perëndimor. Duke prezantuar skuadrën e deputetëve të PD për këtë qark, kryeministri Berisha theksoi se secili prej tyre në qendër të vëmendjes dhe punës së tij ka dhe do të ketë interesin e qytetarëve. Kryeministri ka ironizuar edhe emërtimin e aleancës së majtë “Për një Shqipëri Europiane”, duke e vlerësuar cinike dhe po aq të vërtetë sa zotimin e 1 prillit. “Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këto gra dhe burra nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre janë deputetët të qytetarit, të qytetarit të Tiranës dhe Shqipërisë. Për ne, në çdo kohë i pari është qytetari, interesat, idealet dhe problemet e tij. Zgjedhjet e 23 qershorit janë për çdo qytetar zgjedhje e madhe për vitet që vijnë. Me 23 qershor qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës janë të ftuar të vendosin për alternativën, modelin e vokacionit të tyre perëndimor. Gjithçka kemi realizuar për vendin tonë ka qenë rezultat i përpjekjeve të shqiptarëve për vokacionin e tyre perëndimor. Ne jemi sot të lirë se për ne nga gjenerata në gjeneratë ky vokacion u mbrojt dhe u ruajt. Kosova sot është e lirë se çështja e shqiptarëve u bë çështje e perëndimit, vokacioni jonë perëndimor triumfoi dhe ngadhënjeu. Këta burra që keni sot përpara në asnjë ditë, asnjë orë nuk i lejuan kurrë vetes të kundërshtojnë këtë vokacion. Shqiptarë dhe shqiptare 23 qershori është zgjedhje e madhe. Alternativa tjetër nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj që bëri gjithçka për ta vendos kombin jashtë hapësirës perëndimore. Bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në KiE, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në NATO, për të bllokuar vizat. Ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit kandidat. Me cinizëm ekstrem mundohen të na shesin “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. E vërtetë kjo, sa ç’është zotimi i 1 prillit. Le të votojmë për veten tonë, fëmijët tanë, për Shqipërinë në Europë, Shqipërinë e Integruar. 23 qershori është dita e gjykimit tuaj” theksoi Berisha. Ndërsa ua ka atribuar të gjithë progresin e Shqipërisë në 20 vite qytetarëve shqiptarëve, kreu i PD theksoi se alternativa tjetër ka për filozofi të saj shtypjen e të drejtave të individit, e një diktati shtetëror. Duke e falënderuar kryebashkiakun Basha për disfatën që i shkaktoi kryesocialistit Rama në zgjedhjet lokale, Berisha tha se rrotacioni i dytë do t’i vijë nga Kokëdhima, ndërsa i treti nga qytetarët e Tiranës. “Në kutitë e votimit përballen dy filozofi. Qëndrimi ynë që ka në thelb lirinë tuaj, besim të pakufishëm tek iniciativa juaj e lirë. Gjithçka ka arritur Shqipëria në 20 vite ka patur ju qytetarët shqiptarë arkitektët e vërtetë. Ne qeveritarët s’kemi bërë asgjë tjetër, vetëm punuar për të zgjeruar liritë tuaja. Është liria juaj që i ka dhënë këtij vendi një rritje 11 herë që nuk krahasohet me asnjë vend tjetër. Alternativa tjetër është alternative e cila kërkon të bëjë Shqipërinë që të punohet për qeverinë, alternative e besimit tek diktati shtetëror e qeveritar, e taksave të larta, e pushtimit të iniciativës së lirë. Në 20 vite ne kemi mbrojtur para jush parimet që besojmë. Sa qeverisi Tiranën 2 dhe 3 fishoi taksat. Tani kalon nga njëri qytetet në tjetrin si hije Nastradini dhe thotë se do heqim taksat. Është alternativa e bllokimit të zhvillimit ekonomik. Zoti. Basha demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falënderojnë për rrotacionin që i bëre zotit Rama, të dytin ja bën Koço Kokëdhima, të tretin do ja bëjë Tirana. Këto burra dhe gra janë deputetë të qytetarit, në axhendën e tyre para së gjithash do kenë punësimin tuaj. Ne kemi një plan të shkëlqyer punësimi që bazohet në shumëfishimin e investimeve në vend. Sot filloi kaskada e Devollit, së shpejti TAP, kaskada e Vjosës, dhjetëra e dhjetëra vepra të mëdha” tha më tej Kryeministri. Mirëqënie, punësim, projekte madhore, marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE ka premtuar Berisha për katër vitet që vinë, ndërsa ka bërë thirrje për një fushatë të civilizuar, të mbështetur në vlera dhe parime. “Kanë qenë kohë të vështira për Evropën, por anija jonë qëndroi për shkak të forcës së pathyeshme të individit. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do kapë nivelet e vendit të zhvilluar, ne garantojmë statusin, do hapim negociatat. Le të vendosim ne të zhvillojmë fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që besojmë, fushatën që do bindë çdo qytetar pavarësisht nga përkatësia partiake, se ne jemi ndryshimi. Përpara! Përpara!” përfundoi ai
PD çel fushatën, 100 mijë qytetarë për fitore/100 mijë qytetarë mbushën sheshin me flamurin kuq e zi dhe të Partisë Demokratike në duar, ndërkohë koncerti festiv u hap nga këngëtarja e njohur Soni Malaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha çeli mitingun e çeljes së fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike me një fjalim të karakterizuar nga akuza mbi ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kurse kandidatja e PD-së, Jorida Tabaku tha ne mitingun e çeljes së fushatës elektorale se Partisë Demokratike se, “përmirësimin e jetës në Shqipëri e shohim kudo, por ne e dimë që ka ende më shumë për ta bërë dhe ne do ta bëjmë”. Kandidati i PD, njëherësh ministri i Shëndetësisë Halim Kosova tha se, “do ta kthejmë shëndetësinë në shërbim të pacientëve”. Kurse Majlinda Bregu tha se: ne kemi arsye për të gëzuar siç dimë ne fitoren tonë më 23 qershor. Ne do të jemi bashkë për ti thënë jo bllokuesit jo shkatërrimit. Ti je shkatërruesi, Sali Berisha është ndërtuesi i këtij vendi. Ti je antishqiptari, ke bllokuar Shqipërinë për tre vjet. Sali Berisha është shqiptari, kudo, në të gjitha trojet shqiptare. Sot ju keni 213 arsye dhe 3 vjet që ti kërkoni Ramës llogari pse nuk na la të shkojmë atje ku e meritojmë.