A mund të thyhet me ultimatume ligji, në emër të “transparencës”?
Rikujtojmë veprimet kundërligjore të Edi Ramës
Duke kërkuar diçka nëpër sirtarët, u ndesha me disa fletë katrore, në përmasat pak më të mëdha sesa një paketë cigareje. Në një shikim të shpejtë përsëritej fjala “transparencë”. Duke i shqyrtuar me kujdes, arrita në përfundimin se ai shkruan për vulgun dhe për fanatikët pa tru, jo për njerëzit që ia kuptojnë hilet. Inkoherenca e tij është e përdhosur kryekëput. Ndërkaq iu afrova orës 21, kur i lashë mënjanë copat e letrave për të parë “Gjeniun e vogël”, që të ngre peshë me fëmijë me zëra të mrekullueshëm.
...Dhe kujtesa i çon ata që kishin durimin të mbërrinin në faqet e “Kurbanit”, ku flitet për kohën kur Edvini ishte ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve, kohë në të cilën jo vetëm nuk kishte asnjë eveniment të këtij kalibri por, përkundrazi, këngëtar~(ët, et), aktor~(ët, et), piktor~ (ët, et), skulptor~(ët, et), kërcimtar~(ët, et)... iu kundërvunë, së bashku, në një peticion në të cilin kishin firmat edhe intelektualët më të spikatur. Si falsifikator i regjur, në vend që të heshtte për atë periudhë të ministrit kapadai me aktivitet zero, ai hidhet në kundërsulm: “...Kisha dëgjuar shumë fyerje e të shara nga opozita e kohës, po edhe nga aktorë dhe muzikantë që kundërshtuan reformën (!) time me një grevë patetike urie, nën tingujt e korit të sllevërve të ‘Aidës’ ... e s’më kishin zënë veshët perversitete të atilla monstruoze (...) me të pallura ujqërisht përpara një turme të shkalluar në shkallët...”. Po si iu përgjigj ai arieve të Aidës dhe grevës së protestës kundër tij? Me shkopinjtë e çeliktë të policisë, që gjymtuan dhe i lanë në karrocat e invalidëve një pjesë të mirë të artistëve! Dhe flet për reforma! Reformat e turpit...
E ai që s’diti të drejtojë dot një ministrí, tani mëton të drejtojë një kryeministrí! Dhe vazhdojnë ato shakatë e tij pa kripë të diversionit, se e paska falur Arben Malajn dhe le të kthehet në vathë! Po të rinjve e të rejave, që i besojnë Spiropalit dhe jo atij, si do t’ia bëjë? Po me të tjerët, që po i largohen dita-ditës, jo më t’i afrohen, ç’do të bëjë? Kësisoj Edi është bërë një zë që ulërin në shkretëtirë: Vox clamantis in deserto! Duke shqyrtuar ato letrat, e shkruara katër vite më parë, do të vërejmë atë vazhdimësi të karakterit të tij, që përpiqej dhe vazhdon të përdridhet e të përhidhet si peshku në zall.
***
Edvini duket se e ndjen veten afër përfundimit të asaj montaturës së humbjes zgjedhore të tij, më 28 nëntor të vitit 2009. Ngritja e një rebusi është bërë zakon që, në rastin më të mirë, të quhet kazus, - por që në të vërtetë është orvatja për të krijuar një ngërç që të asfiksojë, me agresivitet të pashembullt, Lëvizjen e Mendimit Ndryshe në radhët e tij, - por edhe për të grumbulluar rreth vetes një mori populistësh. Këta përbëjnë atë pakicë brenda opozitës, që rrëmujën e kanë në gjak. Dhe s’e kanë për gjë se e komprometojnë kryetarin uzurpator të tyre, sepse nderin dorën për të marrë paret e premtuara e të vëzhgohen nga kamerat që nuk janë krejtësisht të fshehta. Mund të quhet një korrupsion i bojkotit, për të cilin E. Rama s’i merr lejen kurrkujt. Kemi të bëjmë, pra, me një bojkot për interesa vetjake të tij. Këtej na del, kësisoj, që edhe shifrat e pjesëmarrjes në “manifestime”, me ndihmën dhe etjen e mediave të Ramës (dhe të të pavotuarve, tashmë në zallamahinë e tij) për t’i dhjetëfishuar pjesëmarrësit, me qëllime propagandistike. Shifrat e njëmendta i ka nxjerrë analisti Artan Hoxha, duke e nisur llogaritjen e tij nga një metër katror, që nuk mund të përmbajë më shumë se katër-pesë persona. Në këtë drejtim, këtyre fryrësve artificialë të tullumbaceve, ua prish humorin krahasimi i pranisë së njerëzve në atë vërshimin e hiperbolizuar të personave, të grumbulluar ‘spontanisht’, në fshehje të kornizave korruptuese e mashtruese të gjurulldive të njerëzve të bashkiakëve të së majtës. E kemi fjalën te përqasja me atë 8 dhjetorin e vitit të kaluar, të cilin majtistët duan ta lënë në harresë. Këtu sjellim në kujtesë ata 500 mijë demokratë, sido që të bëhen llogaritjet për m² ! Sepse u mbush dhe u zotërua i gjithë Sheshi Skënderbej, por edhe pjesë të rëndësishme të të gjitha bulevardeve dhe të rrugëve që të çojnë në këtë shesh!
Pra, ultimatumet antiligjore të Ramës, në emër të transparencës, janë vetiu të diskredituara. Fjala “transparencë”, në shqip, është një nocion abstrakt që ka lidhje me të tejdukshmen. Pra, një fenomen transparent, thjeshtësisht mund të shprehej si një dukuri e qartë. Por, në të gjitha veprimet anarkiste të Ed Ramës, ai nuk numëron dot asnjërin fenomen, që të jetë i qartë. Çdonjëri është i ngërthyer nga paqartësia! Dhe kjo e bën, hap pas hapi, zbuluesin e fjalës magjike, që të bjerë ndesh me ligjshmërinë shqiptare, domethënë me Kushtetutën, apo me ligjet e vendit tonë.
Kjo PS, që sot (4 vite më parë) shpërfill arbitrarisht çdo mendim paksa ‘ndryshe’, nga Ed Rama, është bërë mohuese e çdo përparimi e suksesi të qeverisjes duke mos dhënë, - siç ishte shprehur zv/kryeministri Ilir Meta në atë kohë, - asnjë kontribut pozitiv në drejtim të proceseve integruese. “Ka gati një vit që opozita nuk ka votuar asnjë ligj”, - vazhdonte Ilir Meta. Dhe, më tej, thotë se “shqiptarët nuk kanë përse të shqetësohen për interesat personale të një të dështuari politik, i cili krizën e tij vetjake kërkon ta faturojë te të tjerët”.
Mund të citohet edhe “Shekulli”, fare pranë Ramës, i cili në faqe të parë, shënon një titull me shkronja të mëdha: “Nuk votojmë ligje pa hapur kutitë”. Kjo frazë përmban, qoftë edhe pa dashur, një të vërtetë absolute të synimeve ultimative të Edvinit. Në faqe të brendshme flitet për grupin parlamentar socialist “që vendosi votimin kundër ndryshimit të rregullores së Kuvendit, të propozuar nga deputetët e mazhorancës, por edhe mosdhënien e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar deri në bërjen e transparencës së zgjedhjeve”! Përsëri fjala “Transparencë”! Projektligji për qenien në harmoni të të dy palëve për dëshirën e përbashkët të të gjithë vendit për liberalizimin e vizave, për shembull, nuk mund të gjejë një miratim të përbashkët e të bëhet ligj i dalë njëzëri nga parlamenti ynë, sepse kjo mund të arrihet ‘me kushtin’ që të hapen kutitë! Pra, paska edhe projektligje që shndërrohen në ligje me 2/3-t që u interesojnë të dyja palëve. Le të niset nga këto. Por Rama s’do t’ia dijë që s’miratohen prej deputetëve të komanduar nga ai, po nuk u përmbush kushti i hapjes së kutive! Ky është një ultimatum, për ata që e njohin kuptimin dhe konceptin e kësaj fjale. Në këtë këndvështrim, opozita që drejtohet nga Rama është ekzemplare dhe tejet e pangjashme me asnjërën nga të majtat që i njohin parimet demokratike, që dinë të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, në instancat euroatlantike. Kutitë kanë miratimin e faktorit ndërkombëtar, firmat e 20.000 komisionerëve nga më të besuarit e Ramës dhe të mandatuar prej tij, si edhe një vendim të organeve ligjore që merren me ligjshmërinë e Kodit Zgjedhor. Neni 178 i Kodit Zgjedhor është i qartë. Sipas këtij neni mund të hapen vetëm kutitë që përmbajnë “materialet zgjedhore”. Por Edvini nuk është i kënaqur me kaq. Ky nen përmban edhe pikën 6 të tij. Kutitë “e fletëvotimeve”, me vullnet dhe me firmë të të dy palëve, (domethënë edhe të Ramës) nuk hapen, pas dhënies së përfundimeve zgjedhore nga KQZ-ja. Sipas këtij neni, kutitë “e fletëvotimeve” nuk mund të hapen. Madje do të digjen, - siç bëhet në të gjithë botën demokratike, - për të zbrazur kutitë që nevojiten për zgjedhjet pasardhëse. Por rrëmujaxhinjtë e anarkistit Rama e kanë bërë lajtmotiv parullën: “Hap kutitë, ose ik”. I drejtohen Berishës, që të bëjë një veprim kundërligjor, ose të dorëzojë pushtetin! Kur e paska në kompetencë të tij dr. Berisha që t’i hapë, le ta bëjë këtë vetë E. Rama; se të dy kanë qenë bashkëfirmëtarë. Pse s’e bën? Ja, në mënyrë të dukshme, budallallëku i këmbënguljes, për një gjë të kundërligjshme!
***
Tani është rasti për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor. Me inatçillëkun se asgjë nuk bëhet pa u hapur kutia(!) (ultimatum për hapjen e kutisë së fletëve të votimit, pika 6), as për këtë nuk i ofrohet një kompromisi Edvin Rama! Bukur, thonë juristët e shquar që kanë pasur ofiqin e kryetarit të KQZ-së, si Çlirim Gjata, Kume etj. Një nga këta është shprehur: “Në qoftë se do të bëhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, le të bëhen sa më shpejt. Ndonëse kjo nuk është një gjë përcaktuese, se ligji është. Dhe zgjedhjet mund të bëhen shumë të mira edhe me këtë ligj, por që këtij mund t’i bëhen edhe ndryshime” . Më qartë se kaq s’ka ku të vejë. Por Edvini është kryeneç dhe s’do t’ia dijë as për ligjet. Nuk kupton se mbetet në fuqi Kodi Zgjedhor që është ligjëruar dypalësh dhe që, disa muaj pas zgjedhjeve, është kontestuar nga firmuesi, që është bërë pishman! Përse nuk i bën ndryshimet e mundshme, kur qenka me pishmanllëqe? Që të vazhdojnë në pafundësi grindjet kot më kot? Fjala “transparencë” kërkohet të bëhet e famshme. Flet për transparencë ai që është personifikimi i zvetënimit të transparencës! Lëvizja për Mendimin Ndryshe u asfiksua me grusht të hekurt, në obskurantizëm tërësor dhe me thyerje kamerash të gazetarëve. Kjo është Transparenca (nën thonjëza) e E. Kristaq Ramës! Mund të mbahet mend ajo thënia e Madamë Roland dë la Platièrë, në kohën e Revolucionit francez të vitit 1789: “O liri, sa krime bëhen në emrin tënd”. Në rastin konkret, mund të thuhet, me objektivitet të plotë: “O transparencë, sa budallallëqe janë thënë në emrin tënd!”. Krahasimi është përkeqësues për Edvinin. Sepse ai është përcjellësi i mjegullnajës, i mistereve, i paligjshmërisë dhe absolutisht jo i transparencës.