100 minuta art për 100 vjetorin e pavarësisë
Drejtori artistik i festivalit, Astrit Mustafa ka thënë se festivali këtë vit nuk do të ketë karakter garues sikur herëve tjera, për shkak të jubileve, ngaqë është disejnuar të jetë një spektakël për mbamendje.
Sipas tij, në këtë festival të këngës, ku do të ketë këngë dhe valle popullore, këngë të rangut të lartë dhe pjesë baleti, do të marrin pjesë emra të njohur të skenës muzikore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat tjera etnike.
"Të enjten mbrëma vëmendja e gjithë shqiptarëve do të jetë e përqendruar në Ferizaj. Ne kemi planifikuar të ketë 100 minuta art, për 100 vjet pavarësi. Do të marrin pjesë emra të njohur të muzikës sonë" ka thënë Mustafa, ndërsa ka pohuar se përveç AKV "Kastriotët" në skenë do të jetë edhe orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar (TVSH).
Sipas skenarit të organizatorit, festivali do të fillojë të enjten mbrëma në orën 20 dhe tashmë ftesat për publikun janë shpërndarë, por gjithë ata që nuk do të jenë në pallatin "Bill Clinton" këtë mbrëmje festive do të mund ta ndjekin drejtpërdrejtë në valët e RTK, TVSH dhe televizionit Tema nga Ferizaj.
Ky festival mbahet nën patronazhin e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu. /Kosovapress/