E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjet pavarësi vjen dhe me 100 receta gatimi shqiptare

TIRANË-Një katalog enciklopedik me 100 receta të gatimeve tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, do t’i bashkohet veprimtarive festive të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Klubi i Shefave të Kuzhinës Shqiptare (KSHGSH) po punon për konkretizimin e këtij botimi, i cili për herë të parë do të pasqyrojë artin e gatimit tradicional mbarëshqiptarë.

“Do të botojmë një broshurë dhe një katalog enciklopedik, ku do të përfshihen produktet bio të traditës tonë me elementët specifike. Broshura do të shpërndahet falas, sidomos për turistët. Informacioni i saj do të plotësohet me botimin e katalogut enciklopedik, përveç recetave, do të pasqyrojë dhe vlerat e dietologjike të traditës shqiptare. Në të do të gjenden edhe elementet bazë të të ushqyerit në vetvete, me qëllim që shqiptarët të njihen mirë me vlerat e gastronomisë së vendit”, tha presidenti i KSHGSH-së, Reshat Taku.

Duke theksuar se kuzhina shqiptare ka brenda saj më shumë se 100 receta, ai shpjegoi se libri enciklopedik është konceptuar të përmbajë gatimet më të veçanta mbarëshqiptare, të spcifikuara në vite.

Për realizimin e këtij projekti, KSHGSH po hulumton në terren në zonat më kryesore të Shqipërisë dhe trevave të saj.“Kemi gjetje mjaft interesante, sidomos në Kosovë dhe trevat tjera. Përshëmbull na rezulton se ‘Tava e Kosit’, e cilësuar një gatim tradicional i Elbasanit që është nderuar edhe çmim ndërkombëtar, është një ushqim që vjen nga zonat dhe amvisat e veriut”, tha Taku, duke shtuar se katalogu me 100 recetat, do të faktojë jo vetëm pasurinë e kuzhinës tonë, por edhe kulturën e shqiptarëve në të ushqyer.

Kombet njihen nga kultura, arti, letërsia, historia, por njihen edhe nga kuzhina. Shqipëria është pjesë e atyre kombeve me identitet në fushën e gastronimisë. Një ndër pikat e forta të gatimeve shqiptare, sipas Takut, cilësohet përdorimi ushqimeve cilësore dhe bio, një fakt i konfirmuar nga vlerësuesit e gatimeve në konkurrime ndërkombëtare, ku ushqimet tradicionale vendase janë shquar për shijen e tyre të veçantë.

“Gastronomia është një turizëm në vetvete dhe kuzhina jonë kombëtare, ka shumë për të treguar”, theksoi Taku, duke shpjeguar karakteristikat e kuzhinës kombëtare, e ndarë në Gege dhe Toske.

Vlerësohet se kuzhina Gege ka një orjentim kontinental, ndërsa ajo toske është mesdhetare. Këtë dallim mund ta shohim si në teknikën e gatimit, si ajo me zjarr mbi vatër në veri dhe tek furrat çame në jug, nga mishi i zier në veri në atë të pjekur në hell në jug, ndërsa kemi pjekjen në saç, që është e shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi një diferencë të madhe midis zonave urbane dhe atyre rurale.Në veri spikat Ulqini, Shkodra, Dibra. Përdorimi i erëzave dhe yndyrnave ishin të ndryshme nga veriu në jug. Natyra e vështirë në zonën e veriut ndikoi në zhvillimin e kulturës kontinentale të të ushqyerit, ku përdoreshin kryesisht erëzat e thata. Në zonën e jugut gjen përdorim yndyrnat shtazore dhe vaji i ullirit.

Duke qenë se veriu i Shqipërisë, si thotë Indro Mondaneli, ishte kthyer në një linea "Maginot" për botën shqiptare, izolimi dhe mospranimi kulturave të tjera, si; mbrojtja nga asimilimi, mbeti në stadet fillestare (flitet për zonat rurale). Kryesisht çorbat e ndryshme me bazë miellin e misrit dhe më pakë ose aspak atë të grurit, por edhe orizi që më shumë përdorej i thërmuar për të trashur lëngun, gatuheshin me copa dhjami ose me bulmet (gjalpë) të thartuara me gresë (lëngu i rrushit të papjekur), me pistil ose me kos.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›