E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i Nënë Terezës , MKTRS shpalos kalendarin e aktiviteteve

Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ka shpalosur kalendarin e ngjarjeve artistike në nderim të humanistes Nënë Tereza përmes një performance artistike nën recitimin e vargjeve të saj për jetën nga Drejtori i Teatrit Kombtar Kristaq Skrami nën tingujt e violincelës. Ministri Ferdinand Xhaferaj tha se viti i Nënë Terezës i shpallur nga kryeministri Berisha e ngre perden këtë mbrëmje me koncertin Homazh të orës 19.00, në sallën qendrore të Akademisë së Arteve me pjesëmarrjen e Korit Nënë Tereza nën dirigjimin e artistes së merituar Suzana Turku, Orkestrës së Harqeve dhe solistëve Eriona Gjyzelit, Sonila Babocit dhe Isak Shehut.
Viti kulturor dedikuar veprës së Nënë Terezës dhe simbolikës së saj njerëzore dhe hyjnore përmban ekspozita si ajo e 12 shenjtorëve në Bibliotekën Kombëtare, konferenca shkencore, mbrëmje muzikore e letrare, shfaqje filmash dokumentarë, panaire librash, promovime albumesh fotografike dhe konkurse letrare dhe çmime për fëmijët e shkollave të vendit që do të finalizohen në ditëlindjen e saj në 26 gusht. Ky kalendar përfshin një rrjet të gjerë institucionesh kulturore që prej Teatrit Kombëtar, Galerisë së Arteve, Qendra Ndërkombtare e Kulturës deri tek Arkivi Qendror i Filmit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›