100 vjetori i Pavarësisë - ambasadat shqiptare, aktivitete të shumta në botë
Festime në Romë, në Londër, në Madrid, në Athinë, nё Budapest, etj.
Festimet për 100 vjetorit të Pavarësisë nuk po zhvillohen vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet e botës ku gjenden komunitete shqiptarësh. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadat shqiptare në vende të ndryshme të botës kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke promovuar vlerat kulturore, sociale dhe historike të Shqipërisë në këto 100 vite Pavarësi. Festimet në kuadër të këtij përvjetori ka nisur në muajin e parë të këtij viti dhe do të kulmojnë në fund të nëntorit, kur do të festohet edhe 28 nëntori, Festa e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ambasada Shqiptare në Londër, në bashkëpunim me Shoqërinë Anglo-Shqiptare, Qendrën e Studimeve Shqiptare”, organizuan ceremoninë e promovimit të librit “Lindja e Shqipërisë”, në gjuhën angleze, me autore Nicola Guy.
Ambasada jonë në Paris, në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Botërore në Paris, organizuan një eveniment kulturor të gjerë dedikuar artit shqiptar, në veçanti kinematografisë dhe muzikës polifonike të vendit tonë. Ndërsa shoqata “Albanian-Canadian Events” organizoi në qytetet e Torontos dhe të Montrealit Koncertin e Madh të Pranverës, me pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur Mirush Kabashi, Manjola Nallbani, Kastriot Tusha dhe Gjokë Beci.
Kurse Ambasada e Shqipërisë në Kopenhagen ka përfaqësoi turizmin dhe traditën shqiptare në Panairin ndërkombëtar të turizmit dhe udhëtimit "Ferie & Fritid" në Bella Center. Po kështu në Ambasadën tonë në Shtetin e Katarit, u organizua mbrëmja e muzikës shqiptare në sallën e Teatrit Kombëtar, në Doha.
Gjithashtu në Stokholm u zhvillua konferenca e shoqatave studentore të vendeve skandinave, Suedi, Norvegji, Danimarkë, organizuar nga shoqata “Union i Studentëve Shqiptarë”, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë.
Ndërsa në Muzeun Etnografik të Poznanit në Poloni, u hap Ekspozita Etnografike e kulturës shqiptare, mbështetur në etnokulturën e përshkruar në Kanunin shqiptar, si dokument i ligjësisë historike të shqiptarëve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Yad Vashem” dhe me Muzeun Kombëtar të Liechtensteinit, organizuan në datën 15 shkurt në Vaduz, aktivitetin “Mbrëmje për Shqipërinë”.
Kurse konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Nju Jork zhvilloi më 18 shkurt dy aktivitete: Shfaqje e filmit amerikano-shqiptar, Falja e Gjakut si dhe Koncerti i Muzikës klasike me artistë profesionistë dhe talente të reja.
Ndërkohë aktivitete në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë ka pasur në Zagreb, në Finlandë, në Slloveni, Austri, Zvicër në Athinë, në Romë, në Londër, nё Budapest, në Madrid, etj.