E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Konferenca e Pezës, pikënisja e rreshtimit të Shqipërisë në anën e drejtë të historisë”

17-09-2012 / Gazeta 55

Ministri Arben Imami merr pjesë në 70-Vjetorin e Konferencës së Pezës

Në fshatin Pezë e Madhe të Tiranës është përkujtuar 70- Vjetori i Konferencës së Pezës. Me këtë rast në sheshin para shtëpisë muze ku 70-vjet më parë zhvilloi punimet Konferenca e Pezës ishin prezent qindra veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe banorë të zonës së Pezës, qytetarë, të rinj e të reja nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Rrogozhina, Peqini etj. 
Ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të partive politike, të organizatave të veteranëve të Luftës Antifashiste, të pushtetit vendor të qarkut të Tiranës etj. Ajo që binte në sy ishte mungesa e kryesocialistit Edi Rama i cili ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Pezën dhe në kohën që ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës është kujdesur çdo vit për organizimin e ceremonisë përkujtimore të konferencës historike. Këtë vit ai zgjodhi të mos ishte as i pranishëm ne ceremoni.
Megjithatë takimin përkujtimor e hapi kryetari i Komunës së Pezës, Enver Dorzi.
Në emër të Qeverisë Shqiptare përshëndeti ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
“Populli i Pezës duhet të ndjehet krenar që është në qendër të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Luftës dhe Rezistencës Antifashiste për çlirim kombëtar, theksoi në fjalën e tij ministri Imami. Ajo kishte një traditë të shkëlqyer rezistence ndaj pushtuesit italian që nga  prilli i 1939-ës dhe deri në kohën kur do të mbahej Konferenca. E ndodhur ndërmjet qyteteve më të rëndësishëm të vendit dhe e rrethuar nga kurora e maleve, i jepte rëndësi të veçantë strategjike në organizimin e rezistencës kombëtare. Kjo ishte arsyeja përse Peza u zgjodh si vendi që do të mirëpriste Konferencën që do të shënonte një pikë kthese për rezistencën tonë kundër nazi-fazshizmit”.
Ndër të tjera, ministri Imami ka nënvizuar se, pavarësisht dritëhijeve që shoqërojnë ngjarjet e mëdha historike, Konferenca e Pezës ishte përpjekja e parë madhore e popullit shqiptar për t’u bashkuar në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Ajo u diktua nga zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe nga nevoja e brendshme e vendit për unitet kundër pushtuesit.
“Pavarësisht efekteve dhe ndikimeve që pati kjo Konferencë, theksoi Imami, një moment është shumë i rëndësishëm për t’u theksuar. Ishte pika e nisjes së rreshtimit të Shqipërisë në anën e drejtë të historisë. Shqipëria u vendos në krah të aleatëve kundër barbarisë nazi-fashiste, duke dhënë kontributin e saj, e që sot na bën të ndjehemi krenar për qëndrimin tonë. Peza duhet të finalizohej në Mukje për të çuar vërtetë vendin në drejtimin e duhur, ka nënvizuar më tej ai, por ky ishte shansi ynë i humbur për të fituar pas luftës edhe paqen. Për fat të keq, ata që fituan luftën, humbën paqen. Fundi i pushtimit, ngadhënjimi i lirisë kombëtare u bë pragu i humbjes së lirisë politike. Sot ne kujtojmë me nderim më shumë se gjithçka tjetër, atë përpjekje për unifikimin e faktorit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, një ndarje mes demokracive dhe totalitarizmit, kur u vu në pikëpyetje vetë qytetarimi europian”, është shprehur Imami. 
Më pas, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka vënë një kurorë me lule në monumentin kushtuar Konferencës së Pezës dhe ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Pezës.
Në ceremoninë përkujtimore për 70 vjetorin e Konferencës së Pezës ishte edhe përfaqësuesi i LSI-së Luan Rama dhe nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një prononcim për mediat është shprehur se lufta Nacional-Çlirimtare, e orientuar, e udhëhequr dhe e frymëzuar nga idealet e mëdha të Konferencës së Pezës bëri të mundur që Shqipëria të jetë kontributore e çmuar në koalicionin e madh antifashist botëror, në koalicionin e vlerave.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›