E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PD, Mima dhe Bogdani:

17-09-2012 / Gazeta 55

“Qeveria Berisha, gjatë 7 viteve i ka ulur me 2 herë taksat. Rama flet për uljen e taksave, por kur ishte kryebashkiak i rriti ato”

Biznesi i vogël vlerëson si absurde premtimet e opozitës dhe kryesocialistit Edi Rama për heqjen e taksës për biznesin e vogël. Deputetët demokratë të Tiranës, Florion Mima dhe Gerti Bogdani bashkëbiseduan gjatë mesditës së djeshme me përfaqësues të biznesit të vogël, pranë Rrugës së Dibrës për çështjen e taksave në vend. Ligjvënësit demokratë theksuan se gjatë 7 viteve të fundit, qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, përmes reformave konkrete financiare, ka mundësuar ulje të ndjeshme të taksave për biznesin e vogël. “Ndryshe nga çfarë thotë Rama, taksat e biznesit të vogël në krahasim me vitin 2005 kur qeveriste Partia Socialiste, janë ulur rreth 3 herë. Që nga viti i kaluar edhe tarifat e Bashkisë janë hequr ose reduktuar”, u shpreh Gerti Bogdani.
Ai theksoi se falë këtyre reformave është mundësuar heqja e taksës së gjelbër, është ulur tarifa e pastrimit, është reduktuar taksa e tabelës si dhe është mundësuar ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore.
Përfaqësues të biznesit të vogël, të pyetur nëse i besojnë demagogjisë së taksave zero të deklaruara nga Rama, theksuan se asnjë doktrinë ekonomike nuk parashikon zerimin e taksave për biznesin.
“Mua më intereson të hiqen taksat, por kjo nuk ka se si të ndodhë. Është një absurditet i tij. Mund të ulen taksat dhe kjo është pjesë e çdo fushate elektorale, por taksat janë ulur ndjeshëm. Nuk ka se ç’të ulen më”, theksuan tregtarët e vegjël. 
Tregtarët në Tiranë u shprehën të kënaqur me nivelin e taksave që paguajnë dhe për ta ndryshimi është i ndjeshëm, qofte nga 2005-a e në vazhdim, qoftë nga viti i kaluar.
Deputetët Bogdani dhe Mima theksuan gjithashtu se krahas demagogjisë politike, premtimet e opozitës nuk janë të vërteta, pasi bëhen nga njeriu që gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës veçse ka rritur taksat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›