TAP-i do të jetë projekt fitues për shkak të rëndësisë ekonomike, për të dy vendet
Krerët e shtetit takohen me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit, Ogaty Asadov
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi dje në takimin me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit, Ogaty Asadov se, realizimi i projektit TAP do ishte në interes të të gjitha vendeve përshkuese, për shkak të rëndësisë ekonomike të tij dhe përfitimit, që kanë vendet e rajonit dhe më gjerë nga zbatimi i këtij projekti.
Kreu i shtetit shqiptar dhe kryeparlamentari azer i vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira dhe shkëmbyen mendime për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë të veçantë në fushën e energjetikës. Presidenti Nishani e njohu Asadov me klimën dhe kuadrin ligjor të favorshëm që ekziston në vendin tonë për mbështetjen e investimeve të huaja dhe inkurajoi investitorët nga Azerbajxhani që të investojnë në Shqipëri, në fushat e energjetikës, turizmit dhe infrastrukturës.
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi dje një takim me kryetarin e Parlamentit të Azerbaxhanit, Ogtay Asadov, vizita e parë në vendin tonë e një kryeparlamentari azer. Topalli e cilësoi këtë vizitë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet midis dy vendeve tona si dhe një ngjarje historike në kuadër të 100 Vjetorit të Pavarësisë.
Duke u përqendruar në bashkëpunim ekonomik, Kryetarja e Kuvendit theksoi se, Gazsjellësi transatlantik, ku Azerbajxhani ka një rol kryesor, është një projekt strategjik, jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por dhe për perspektivën e rajonit. Midis dy vendeve ekziston një memorandum mirëkuptimi, i cili do të pasohet në terma konkrete bashkëpunimi në muajt në vijim.
Kryetari i Parlamentit të Azerbajxhanit konfirmoi mbështetjen dhe interesimin dhe të autoriteteve më të larta të Azerbajxhanit për zbatimin e këtij projekti madhor. Azerbajxhani, tha ai, është shumë i i interesuar për projektin TAB dhe unë jam i bindur se do te jetë një projekt i suksesshëm.