Xhufi: Pas dy vendimeve të Kushtetueses, edhe censusi duhet të shpallet i paligjshëm
Historiani Pëllumb Xhufi ka deklaruar se censusi duhet të shpallet antikushtetues. Ai iu referua dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë dy ligje, atë për ndryshimin e kombësisë me vendim gjykate dhe për shënimin e kombësisë në dokumentet e gjendjes civile. Në dritën e këtyre dy vendimeve të drejta të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë si ligjin e vitit 2003 për ndryshimin e kombësisë me një vendim të thjeshtë gjykate, ashtu edhe ligjin e vitit 2009 mbi shënimin e kombësisë në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, shtrohet pyetja: a mund të jetë kushtetues një regjistrim, si ai i porsa zhvilluar në vjeshtën e vitit 2011, i cili së pari përfshin zërin kombësi në një dokument zyrtar, dhe së dyti lejon, madje nxit, ndryshimin e kombësisë së të intervistuarit me një deklarim të thjeshtë gojor të tij? Unë jam i bindur se jo, dhe do të prisja që një institucion a parti politike të kërkonte shpalljen si antikushtetues të këtij regjistrimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, tha Xhufi.
Historiani i është përgjigjur edhe një qëndrimi të deputetëve të mazhorancës se kufijtë me Malin e Zi duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale. Kjo është një gënjeshtër e paturp. Kufijtë tanë veriorë janë të përcaktuar qartë gjithashtu në vitin 1913. Vërtet, Jugosllavia e dikurshme nuk është më dhe një shtet i ri, Mali i Zi është krijuar në kufijtë tanë veriorë. Por kjo sdo të thotë se kufijtë e këtij me Shqipërinë do të jenë të ndryshëm nga ata që kishte me fqinjin jugor Jugosllavia e dikurshme, pjesë e së cilës ishte edhe Mali i Zi. Apo mendojnë ndryshe zotërinjtë e qeverisë, veçanërisht ata që kanë lidhje e miqësira të veçanta në Podgoricë? Ndryshe nga qeveria greke, qeveritë jugosllave dhe më tej, ajo malazeze pas krijimit të shtetit të Malit të Zi, i kanë njohur, e qysh, kufijtë tokësorë e ujorë me Republikën e Shqipërisë. Janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse dhe kanë funksionuar rregullisht komisionet mikste të kufirit për parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve kufitare. Por si për vetë historinë e shtetit shqiptar, edhe për çështjen e kufijve, çlirimtarët e PD kujtojnë se jeta fillon me daljen e tyre në dritë dhe ardhjen e tyre në pushtet. Harrojnë që ky shtet fillon me baba Qemon, me atë që Ministri pëdëist i Kulturës (i Kulturës!) dinte se prehej në tokën e Italisë. Harrojnë gjithashtu, se në kohë të tjera bëmat si ato që po gatuajnë ata quheshin thjesht tradhti dhe dënoheshin rëndë, tha Xhufi.