E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Gaiani: Nxitje më të madhe të investimeve italiane

Kreu i qeverisë Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Italisë në Tiranë, zotin Massimo Gaiani. Kryeministri i shprehu ambasadorit Gaiani mirëseardhjen dhe i uroi sukses në detyrën e re. Duke i çmuar si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, Kryeministri shprehu mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë.
 

Gjithashtu Kryeministri Berisha çmoi se ky nivel i lartë i marrëdhënieve dypalëshe mishërohet nga marrëveshja e partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve po njohin zhvillime të vrullshme. Kryeministri shprehu vlerësimet më të larta për zgjedhjen e Kryeministrit të ri të Italisë z. Mario Monti, duke e vlerësuar atë si një figurë të spikatur, si dhe siguroi ambasadorin për vlerësimin e lartë që qeveria ka për kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga zoti Monti.
 

Nga ana e tij Ambasadori italian i cilësoi marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe shprehu angazhimin e tij për t`i thelluar ato më tej në të ardhmen. Një theks të veçantë ambasadori Gaiani vuri tek zhvillimet në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri duke shprehur interesin që ka tregu Italian në këtë drejtim.
 

Gjatë takimit mes dy palëve u bisedua edhe për fusha të tjera me interes të dy vendeve si në ekonomi, turizëm, bujqësi etj. Në përgjigje të interesit të Kryeministrit për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri, si një vend që ofron potenciale të mëdha, ambasadori Gaiani shprehu angazhimin për të punuar në këtë drejtim duke ndjekur vazhdën shumë pozitive të investimeve italiane gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›