100-vjetori i Pavarësisë, ftohet Papa Benedikti XVI
Vatikan- Papa Benedikti XVI ftohet në Shqipëri për 100-vjetorin e Pavarësisë nga kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Rasim Hasanaj.
Në kuadër të një vizite tre ditore në Vatikan, Hasanaj i bëri edhe këtë kërkesë Papës, i cili, siç mesohet, e ka mirëpitur atë. Po ashtu Hasanaj i dhuroi Atit të Shenjtë një vepër artistike në të cilën paraqitej Papa Gjon Pali II teksa bekoi gurët e kishës Zoja e Shkodrës në prill të vitit 1993.
Mesohet se gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet u prit edhe nga personalitete të larta të Vatikanit.
Ndër të tjera gjatë takimëve u vlerësua bashkëjetesa dhe harmonia që përcillet në Shqipëri mes komuniteteve të ndryshme fetare.
Lidhur me këtë fakt kryetari Hasanaj i njohu bashkëbiseduesit me faktin se sot në vendin tonë bashkëjetojnë në paqe e harmoni katër bashkësi fetare tradicionale. Komuniteti Mysliman i Shqipërise, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Duke shtuar se përveç tyre, janë të pranishëm edhe ungjillorët, hebrenjtë, si dhe disa besime e grupe fetare që kanë mbërritur pas viteve 90 të shekullit të kaluar, siç janë deshmitarët e Jehovait, mormonët, bahait, Xhemati Ahmedia etj.
Shkrime të tjera me interes: