E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murat Jashari, kandidat për president i LDK-së dhe AAK-së?

Motivi për ta mundur Hashim Thaçin në zgjedhjet presidenciale duket se ka shtyrë dy parti opozitare që të dalin me një kandidat të përbashkët për postin e presidentit.

LDK dhe AAK tashmë kanë filluar bisedimet. Madje ata kanë gjetur edhe kandidatin ideal që do të ishte i pranueshëm për të dy partitë, do të shuante rivalitetin e brendshëm dhe do të përçante edhe më tutje partinë në pushtet - PDK.

Interlokutorët e të dy kampeve politike thonë se kanë gjetur emëruesin e përbashkët të këtyre negociatave: Murat Jashari është kandidati magjik i targetuar nga LDK e AAK, e i cili besojnë se do të marrë edhe mbështetjen e partive tjera opozitare.

Vetëm pak ditë pasi u përfol emri i Blerim Shalës, si propozim i AAK-së për kandidat për president, si dhe lakimi i emrit të Sabri Hamitit nga LDK-ja, si kandidat i kësaj partie, burime të Ekonomistit nga të dy këto kampe politike kanë treguar se i janë ‘futur’ bisedimeve joformale që të heqin dorë nga propozimet e tyre partiake dhe të dalin më një kandidat të përbashkët.

AAK-ja, sipas këtij burimi, ka propozuar që kandidati për president nga AAK dhe LDK, të jetë Murat Jasharin, ndërsa LDK-ja ka hedhur idenë që të shqyrtohet mundësia edhe e kandidimit të Veton Surroit.

Emri i Murat Jasharit, siç është duke u diskutuar brenda dy këtyre partive politike, do të jetë pika me e fuqishme e tyre për ta mundur sfidantin e PDK-së, i cili përflitet se do të jetë vetë kryeministri aktual Hashim Thaçi.

Jashari, po ashtu, mendohet së do të marrë përkrahjen edhe nga pjesa tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, madje edhe nga një pjesë e madhe e PDK-së, që tani përfaqësohet nga”fraksioni” i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe deputetit Fatmir Limaj. (Ekonomisti)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›