E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI, mesazh Berishës: “Jam në dijeni të gjithçkaje pozitive që po ndodh në Shqipëri, urimet më të mira”

29-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prit në një takim Eminencën e Tij në Vatikan, Kardinalin Abril Y Castello, i cili i paraqiti shefit të ekzekutivit, përshëndetjet e posaçme të Atit të Shenjtë Benedikti XVI. Kryeministri shprehu edhe njëherë dëshirën, jo vetëm të tij, por edhe të të gjithë shqiptarëve, që Shenjtëria e Tij ë vizitojë Shqipërinë
Berisha: Dioqeza e Sapës, kështjellë që i ka frymëzuar shqiptarët në shekuj drejt vlerave dhe idealeve të lirisë

Kryeministri Berisha priti dje në mesditë në një takim Eminencën e Tij në Vatikan, Kardinalin Abril Y Castello, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Kardinal Castello shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe mikpritjen dhe, në emër të Atit të Shenjte Papa Benedikti  XVI, i përcolli Kryeministrit përshëndetjet e përzemërta. “Në emër të Shenjtërisë së Tij, ju përcjell përshëndetje të posaçme. Ai ndjek me shumë interes të gjitha çështjet e Shqipërisë dhe është në dijeni të gjithçkaje pozitive që po ndodh këtu. Më ngarkoi t’ju shpreh afërsinë dhe vëmendjen e Tij për zhvillimet këtu, si dhe urimet më të mira për të ardhmen”. Kardinal Castello vlerësoi punën e mirë të qeverisë dhe siguroi për vazhdimësinë e bashkëpunimit të Kishës Katolike, në synimin e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në vlera të shëndosha. Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Kardinalit Castello kënaqësinë për këtë vizitë, në kuadrin e 950 vjetorit të Dioqezës së Sapës, përvjetor i cili përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri e cilësoi Dioqezën e Sapës si një kështjellë e cila i ka frymëzuar shqiptarët në shekuj drejt vlerave dhe idealeve të lirisë. Kryeministri i shprehu gjithashtu Eminencës së Tij Kardinalit Castello mirënjohjen për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që Ati dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Shqipërisë përgjatë historisë së saj, në mënyrë të veçantë pas rënies së komunizmit. Kryeministri Berisha u shpreh se Kisha Katolike, bashkë me komunitetet e tjera fetare, kanë bërë një punë shumë dimensionale dhe të çmuar, duke kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në rindërtimin, jo vetëm të institucioneve fetare, por edhe në ri-ngritjen e shtyllave morale të shoqërisë. Të dy bashkëbiseduesit çmuan faktin se Shqipëria, pavarësisht se është një vend multi religjioz, është një shembull unik që demonstron një vlerë të jashtëzakonshme, që është respekti dhe toleranca ndër fetare. Kryeministri theksoi se kjo vlerë qëndron edhe në themel të presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës, e cila ka përzgjedhur si moto të saj; “Të bashkuar në diversitet”. Kardinal Castello theksoi se eksperienca shqiptare është një shembull për t’u ndjekur në Evropë, e cila duhet ta përballë krizën e rëndë që po përjeton jo vetëm nëpërmjet parimeve dhe instrumenteve të tregut, por duke u bazuar në vlerat më të mira të shoqërisë. Kryeministri shprehu edhe njëherë dëshirën, jo vetëm të tij, por edhe të gjithë shqiptarëve, që Shenjtëria e Tij Papa Benedikti i XVI të vizitojë Shqipërinë.
Dioqeza e Sapës - dita dytë e treditëshit të kremtimeve Jubilare të 950-vjetori të themelimit/Më 28 shtator, aktiviteti i treditëshit jubilar vazhdoi me Simpoziumin Shkencor me titull “Dioqeza e Sapës përgjatë shekujve” që u mbajt paradite në orën 10, ku ligjëruan studiues të fushës së historisë, si dhe personalitete të tjera. Pasditja vijoi me bekimin e spitalit të ri në Nënshat. E gjithnjë dje, në vigjilje të festës së Shën Mëhillit, pajtorit qiellor të dioqezës së Sapës, po në Nënshat u shugurua Kisha e re kushtuar Shën Mëhillit, e në këtë festë mori pjesë e gjithë bashkësia kishtare famullitare e udhëhequr nga Etërit Kapuçinë. Sot, do të zhvillohet kremtimi kryesor i Jubileut të 950-vjetorit të themelimit të dioqezës së Sapës, në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës. Mesha Solemne e Jubileut do të kryesohet nga Delegati i Papës, hirësia e tij kardinal Santos Abril y Castello, në bashkëkremtim me Nuncin Apostolik në Tiranë, ipeshkvin e Sapës e shumë të tjerë nga hierarkia e lartë e Kishës Katolike në Shqipëri, një jashtëzakonisht i numër i madh besimtarësh nga të gjitha famullitë Kishtare të Sapës, si dhe personalitetet të larta shtetërore.
Çmimin Ratcinger 2012 në teologji e fituan një historian laik e një teolog jezuit/Çmimi Ratcinger 2012, që ka arritur në edicionin e dytë, do t’i dorëzohet nga Papa Benedikti XVI filozofit e historianit francez Rémi Brague dhe teologut amerikan jezuitit Brian E. Daley. Çmimi u prezantua dje paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga kardinali Camillo Ruini, president i komitetit shkencor të Fondacionit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI e nga imzot Giuseppe Scotti, president i Fondacionit të Vatikanit. Me fjalët e shqiptuara në homelinë e Pashkëve të këtij vitit, Benedikti XVI duke përcaktuar qëllimin e Fondacionit Joseph Ratzinger kërkoi të vihet në qendër të reflektimit çështja e Zotit. “Errësira vërtetë kërcënuese për njeriun – pati thënë Papa – është fakti që ai, në të vërtetë, është i aftë të shohë e të hulumtojë gjërat e prekshme, materiale, por nuk sheh se ku po shkon bota e nga vjen”. Ta vësh para syve të opinionit publik “çështjen e Zotit” – tha imzot Giuseppe Scotti – do të thotë ta zvogëlosh intensitetin e errësirës mbi Zotin e mbi vlerat e vërteta: “Të caktosh dhënien e Çmimit Ratcinger do të thotë t’i shpërblesh ata njerëz e ato gra që, me studimin tyre dhe punën e tyre shkencore, kanë dhënë apo janë munduar t’i japin shpresë njeriut, pikërisht pse janë të aftë ta vënë Zotin në qendër si vlerën e parë e investimin më të madh për vet njeriun”.
Çmimi i Papës Ratcinger, do të thotë një pergamenë dhe një vlerë prej 50 mijë eurosh, fituesit, filozofi e historiani francez Rémi Brague dhe jezuiti amerikan atë Brian Daley, do të marrin më 20 tetor të ardhshëm në Sallën Klementina në Vatikan. Duke prezantuar profilin e dy fituesve të Cmimit Ratcinger 2012, kardinali Ruini u ndal tek kërkimi i ushqyer nga Fjala e Zotit që karakterizon impenjimin e të dy studiuesve. “Rémi Brague sipas mendimit tim është një filozof i vërtetë e njëkohësisht historian i madh i mendimit dhe i kulturës, që bashkon forcën spekulative e vizionin historik me fenë e krishterë e katolike të thellë e të qartë, pa komplekse. Brian E. Daley është një historian i madh i teologjisë patriotike, por edhe një njeri i impenjuar me të gjitha fuqitë e veta në jetën e në misionin e Kishës, që bashkon në mënyrë shembullore rigorozitetin shkencor me pasionin për Ungjill”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›