E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i pavarësisë, çelet ekspozita “Shpirti i arbrit në shekuj”

TIRANË - Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, në Muzeun Historik Kombëtar u çel sot ekspozita "Shpirti i Arbrit në shekuj", si dhe u promovua antologjia "Arbëreshët e Italisë 1413-2007", e autorit Fotaq Andrea.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, vlerësoi rolin e veçantë që zenë arbëreshët në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.

"Kjo ekspozitë është e mbushur me dëshmi shumë domethënëse, ku vizatimet dhe pikturat, kostumet e shumëllojshme dhe elegante, tregojnë vitalitetin e arbëreshëve, pasurinë dhe larminë e shpirtit të tyre krijues, lashtësinë dhe larminë e traditës shqiptare", tha Bumçi.

Kreu i Kulturës vlerësoi gjithashtu edhe antologjinë "Arbëreshët e Italisë,1413-23007”, e cila nëpërmjet shkrimeve të autorëve të ndryshëm francezë, mbledhur dhe paraqitur me kujdes nga studiuesi dhe hulumtuesi Fotaq Andrea, janë një tjetër dëshmi kuptimplote e historisë dhe shpirtit arbëresh.

Antologjia "Arbëreshët e Italisë" përfshin shtatëdhjetë e pesë autorë dhe burime franceze, përzgjedhur si për tematikën e veçantë të shkrimit, për të dhënë një kuadër sa më të gjerë të botës arbëreshe, ashtu dhe për analizën e dukurive historike, etnografike, gjuhësore, artistike, e cila ka shoqëruar procesin e shpërnguljes dhe të vendosjes së kësaj diaspore shqiptare në Itali, duke mbuluar një periudhë historike prej mbi shtatë shekujsh.
Në të përfshihen mbi treqind e pesëdhjetë ilustrime, me tematikë të gjerë, që nga portretet e figurave historike, deri te peizazhet, kostumet, si dhe faksimile dorëshkrimesh të fushës epistolare.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›