100,000 poetë, për ndryshim
Ideja për organizmin e një aktivitetit mbarëbotëror të poezisë u realizua me qëllim të dërgimit të një mesazhi të fuqishëm për promovimin e ndryshimeve të rëndësishme sociale dhe politike. Kjo ide fillimisht u dha në muajin maj, nga poeti, botuesi dhe veprimtari amerikan për mbrojtjen e mjedisit, Michael Rotenberg, nga Karolina Veriore.
Titulli i aktivitetit në fjalë paraqet një nxitje dhe një ftesë për mbledhjen e 100,000 poetëve anembanë planetit në të njëjtën ditë.
Numri i saktë i poetëve që do t’i bashkohen festës ende nuk është bërë i ditur, për shkak të jehonës që pati kjo iniciativë. Por vetë fakti që gjithçka u organizua brenda pak muajsh, tregon nivelin e angazhimit të botës së artit, por edhe fuqinë e mjeteve të komunikimit social, meqenëse vetë iniciativa u përhap nëpërmjet rrjetit Facebook.
Ndryshe, aktivitetet pritet të jenë të shumta. Duke filluar që nga një takim i poezisë dhe paqes në Kabul dhe Jalalabad, e deri kryeqytetin e Meksikos ku do të mbahen 20 aktivitete të ndryshme, në të cilat poetë, piktorë, sineastë dhe muzicientë do të dërgojnë mesazhe paqeje në gjithë qytetin. Ndërkohë, 29 aktivitete pritet që të organizohen në Indi, 7 në Nigeri, 17 në Kanada, 19 në Britaninë e Madhe, 5 në Kinë, 3 në Kubë dhe më shumë se 220 të tjera në SHBA.
Siç bëhet e ditur, fotografi, video, vepra artistike dhe materiale të ndryshme letrare pas 24 shtatorit do të ruhen në Standford University, në Kaliforni, një universitet ky që aktivitetin “100,000 poetë, për ndryshim” e ka cilësuar si leximin më të madh në histori të poezisë.