11 Shtatori mbledh bashkë Berishën, Topin e Topallin. Berisha dënon 11 Janarin
Ambasadori Aleksandër Arvizu ka hapur sot pasdite ekspozitën Ja Nju Jorku Një Demokraci Fotografish në Muzeun Historik Kombëtar si pjesë e përkujtimit të përvjetorit të dhjetë të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në ceremoni kanë qenë të pranishëm presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që edhe pse kanë qëndruar krah për krah, nuk kanë këmbyer asnjë fjalë me njëri- tjetrin. Krah tyre kanë qenë dhe dy ish- presidentit, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.
Dhjetë vite më parë dje, rreth tre mijë persona humbën jetën e tyre. Njerëzit nga çdo cep të botës qëndruan në solidaritet me ne, përmes qirinjve dhe luleve të vendosura në ambasadat tonë në mbarë botën. 10 vjet më vonë, miqtë tanë në Shqipëri qëndrojnë të patundur në mbështetjen e tyre dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Ne nuk do i harronim ata që humbëm, por duhet të qëndrojmë të bashkuar për të parandaluar sulme dhe viktima të reja, u shpreh Arvizu.
Më pas kanë folur me radhë, presidenti Topi, kryeministri Sali Berisha, ish- presidenti Meidani dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur edhe fjalimin më të gjatë, të mbushur me nota patetike.
Por ajo që ra në sy në mbyllje të fjalimit të kryeministrit, ishte se ai ngatërroi 11 Shtatorin, duke e quajtur 11 Janar. Nuk dimë se çfarë ka kaluar në mendjen e kryeministrit në ato momente, por në janar ai ka kryer një akt terrorist, duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm.