11 prill 2008 - Vizita e delegacionit parlamentar shqiptar gjen jehonë në median saudite
Vizita e Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Arabinë Saudite ka gjetur një jehonë të konsiderueshme nga ana e shtypit të atjeshëm, duke u ndalur veçanërisht në pritjen e ngrohtë, që mbreti i Arabisë Saudite, i ka rezervuar delegacionit shqiptar.
Kështu, gazeta Al- Jazirah ka botuar në faqen e parë shkrimin me titullin: Mbreti priti Kryetaren e Parlamentit Shqiptar, znj. Jozefina Topalli, ku ndër të tjera thuhet se:
Në pallatin mbretëror, Mbreti Abdulla Bin Abdulaziz priti Kryetaren e Parlamentit shqiptar, znj. Jozefina Topalli bashkë me delegacionin shoqërues të saj. Kryetarja e Parlamentit shqiptar vlerësoi këtë pritje dhe theksoi se ajo dhe delegacioni i saj janë shumë të gëzuar për mikpritjen bujare të vendit të tij.
Gjatë takimit u diskutuan shumë tema të ndryshme.
Në këtë takim nga pala Saudite morën pjesë Princi Mukrin Bin Abdulaziz, Kryetari i Shërbimit Informativ, Princi Abdulaziz Bin Abdullah Bin Abdulaziz, Këshilltari i Mbretit, Princi Mensur, Bin Nasir Bin Abdulaziz, Këshilltar i Mbretit, Kryetari i Parlamentit Saudit, Dr. Salih Bin Abdullah Al-Humeid dhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Admirim Banaj.
Të njëjtën temë, atë të takimeve të delegacionit parlamentar shqiptar në këtë vend e përcollën me vlerësime pozitive, ndër artikujt e botuar në to edhe gazetat Al-Hajat, Al-Vatan, Arr-Rriad, Al-Medina dhe në disa gazeta tjera.