E Shtunë, 31 Tetor 2026

19 mars 2008- Gjermania, mbështetje të vazhdueshme e të gjithanshme për Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me zotin Peter Ramsauer, Kryetar i grupit parlamentar CSU-CDU, që është grupi më i madh dhe më i fuqishëm në Bundestagun gjerman.

Zonja Topalli falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në çdo situatë, siç ishte edhe mbështetja në tragjedinë e Gërdecit.

Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe dialogut mes dy vendeve theksoi se ky bashkëpunim duhet të dinamizohet tashmë në të gjitha fushat.

Shqipëria, tha zonja Topalli është tërësisht e angazhuar në reformat që  po e çojnë vendin drejt anëtarësimit në strukturat Euro-Atlantike. Vendi ka një transformim të madh vitet e fundit dhe imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar, falë ndryshimit pozitiv të realitetit. Jemi në pritje të marrjes së ftesës për antarësim në NATO dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për ta merituar këtë ftesë.

Nga ana e tij zoti Ramsauer siguroi zonjën Topalli për mbështetjen e Gjermanisë në proceset integruese të Shqipërisë.

Do të bëjmë gjithçka për tju mbështetur në mënyrë të gjithanshme dhe do të vazhdojmë tju shoqërojmë përgjatë hapave tuaj në rrugën drejt BE-së, u shpreh ai. Keni, pa asnjë mëdyshje, mbështetjen tonë të plotë për anëtarësim në NATO dhe ne inkurajojmë marrjen e ftesës për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Shqipëria ka bërë reforma të jashtëzakonshme, që janë shumë të vlerësueshme dhe tregues i një vullneti dhe angazhimi maksimal.


Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Ramsauer me ecurinë e ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, proces që, siç u shpreh zonja Topalli, pritet të përfundojë brenda këtij viti. Zonja Topalli kërkoi një përshpejtim të këtij ratifikimi nga Bundestagu gjerman dhe zoti Ramsauer garantoi Kryetaren e Kuvendit se do të influencojë që ky ratifikim të votohet brenda një kohe sa më të shkurtër.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Zonja Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme financiare të Gjermanisë duke theksuar se Shqipëria mirëpret rritjen e investimeve gjermane.
Me një rritje ekonomike prej 6 për qind, me një inflacion në kontroll 3 për qind, me një rritje prej një miliard dollarë të të ardhurave, me vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind dhe me krijimin e një klime shumë të favorshme për investime, Shqipëria është bërë një nga vendet më atraktive për investimet e huaja, u shpreh zonja Topalli.

Kryetarja e Kuvendit  falënderoi zotin Ramsauer për njohjen e shtetit të ri të Kosovës nga Gjermania, si një shprehje e mbështetjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zonja Topalli u shpreh se Shqipëria është e interesuar për  perspektivën Euro-Atlantike të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit dhe do të vijojë të luajë rolin moderues në shërbim të paqes së qendrueshme në Ballkan.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›