116 të plagosur nga protestat e dhunshme në Jemen
Përleshje të dhunshme janë regjistruar gjatë orëve të fundit ndërmjet forcave të sigurisë dhe manifestuesve në qytetin jemenas të Taizit, në jug të kryeqytetit Sana. Mijëra persona kanë manifestuar për të dënuar vdekjen e katër demonstruesve gjatë një dite më parë. Ata u vranë pasi forcat e sigurisë hapën zjarr gjatë protestës së radhës kundër regjimit të presidentit Saleh. Po sipas mediave raportohet për të paktën 116 persona të plagosur. Një ditë më parë, i zemëruar për shkak të sugjerimeve të Katarit që udhëheqësi jemenas të largohet, Jemeni ka tërhequr ambasadorin e vet nga Katari. Ndërsa njëkohësisht, qindra mijëra vazhdojnë të protestojnë në mbarë Jemenin me kërkesa për largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh.
Vdekja e katër protestuesve në qytetin jugor Taiz bëri që rreth 100 mijë njerëz të marshojnë në qytet, duke fajësuar guvernatorin lokal, shefin e sigurisë dhe udhëheqësin e partisë në pushtet.
Më shumë se 120 njerëz kanë vdekur që nga 11 shkurti, kur filluan protestat e frymëzuara nga kryengritjet popullore në Tunizi dhe Egjipt.