Njohja e Kosovës dhe polarizimi i mëtejshëm i partive shqiptare në Mal të Zi
Njohja e Kosovës nga Mali i Zi ka ndikuar në kristalizimin e shumë raporteve brenda skenës politike malazeze. Përveç bllokut të partive të cilat tradicionalisht janë të profiluara si serbe, janë diferencuar edhe subjektet e tjera, të reja, që tashë është e qartë, i takojnë këtij profili politik. Mirëpo, më me rëndësi është se si do të ndikojë procesi i njohjes së Kosovës në pozicionimin e partive shqiptare brenda elektoratit shqiptar në Mal të Zi.
Është mire që politikanët tanë ta vënë ndonjëherë gishtin në ballë dhe ta pyesin vetveten se ku gjenden. A e kanë pyetur veten ndonjëherë se çfarë është strategjia e subjekteve të tyre politike? A dinë politikanët tanë se çka është strategjia? A dinë se çka janë vendimet strategjike? Cilat vendime strategjike i kanë marrë që t’u përmbahen? Vendime strategjike nuk ka nëse nuk ka objektiva. Cilët janë objektivat e elitave politike shqiptare në Mal të Zi? Dhe, a kemi elite politike sepse ky term lind asociacione mbi diçka që është representative. A janë me të vërtetë këto elita përfaqësuese të popullit shqiptar në Mal të zi. Mbaj shpresë se jo.
E kam lexuar këto ditë moton e njërës nga partitë e bllokut serb që më ka pëlqyer shumë. Do ta përkthejë "Ne, për vetvete" (We, for us). Motoja është shumë inspirative për të menduar se a e ka pyetur veten dikush nga "liderët" shqiptarë në Mal të Zi se sa kanë bërë realisht për veten tonë, pra, për shqiptarët.
Në situaten rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, është bërë polarizimi edhe më i rëndë mes partive shqiptare. Çka është edhe më komike, ky polarizim nuk ka qenë rreth çështjes thelbësore (njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali Zi). Aty kanë qenë të gjithë unanimë duke e promovuar në opinionin malazez idenë e njohjes. Mirëpo, është një gjë tjetër që bie në sy. Kjo gjë nuk është e lidhur me njohjen e Kosovës, por, ka të bëjë me strategjinë globale të partive shqiptare, secilës veç e veç. Tashmë është i qartë polarizimi i cili është bërë mes këtyre partive lidhur me çështjen e komunës së plotë të Tuzit. Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve ka shkuar në atë drejtim që partite shqiptare, në vend që të ruajnë një minimum të konsensusit rreth çështjeve të tjera, si dhe komunikimin e mire ndërpartiak, kanë shkuar duke i acaruar raportet mes vete. Çka është më e keqja, fitohet përshtypja se partite shqiptare më shumë lodhen lidhur me konceptin strategjik të rrymave politike malazeze me të cilat janë ose kanë qenë në koalicion zyrtar dhe jozyrtar sesa me çështjet që janë jetësore për komunitetin shqiptar në Mal të Zi. Fitohet përshtypja se forcat shpenzohen kot në rrahjen e betejave të huaja në vend që të shikohet se cilët janë interesat vitalë të komunitetit shqiptar. Dhe sa dëm pëson ky komunitet nga fakti se partitë shqiptare zhvillojnë një politikë e cila nuk e ka asnjë atribut të strategjisë.
...