12 505 shkelje rrugore të konstatuara gjatë javës së fundit në kryeqytet

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet në akset lidhëse dhe rrugët me frekuentim të lartë, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Gjatë javës së fundit, si rezultat i prezencës së shtuar të shërbimeve dhe monitorimit me mjete bashkëkohore, janë konstatuar 12 505 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, janë evidentuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.
Policia ka proceduar penalisht edhe një drejtues automjeti, pasi tentoi të korruptonte një punonjës policie duke i ofruar 2000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Ndër masat e vendosura gjatë kontrolleve janë 74 masa për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, 12 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit dhe masa ndaj 31 automjeteve të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me Kodin Rrugor.
Për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mungesë të rripit të sigurimit dhe mungesë të kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve janë vendosur 1562 masa administrative.
Policia Rrugore apelon për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit, shmangien e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë nga të gjithë përdoruesit e rrugës për garantimin e sigurisë rrugore.
/gj.m/j.p/