E Diel, 1 Nëntor 2026

Flukset në kufirin Kroaci-Mali i Zi, MEPJ: Angazhim për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot lidhur me flukset në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi gjatë sezonit turistik, duke theksuar se rritja e flukseve të udhëtarëve sjell ngarkesa të konsiderueshme në periudhat e pikut.

Sipas MPJ-së, fenomeni përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me lëvizje të lartë, për shkak të volumit të madh të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes rrugëve tokësore.

“Rritja e ndjeshme e mobilitetit në rajon dhe flukset gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik shoqërohen, në periudhat e pikut, me pritje të gjata në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi. Ky është një fenomen që, për shkak të volumit shumë të lartë të lëvizjeve, përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me fluksin më të madh”, thekson MEPJ në një reagim.

Ministria thekson se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse të vendeve të rajonit, me synim lehtësimin e lëvizjes dhe reduktimin e pritjeve në pikat kufitare.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare”, shton MEPJ.

Sipas MEPJ,-së, “vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare”.

Megjithatë, shton MEPJ, “kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë”.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›