12 maj 2008
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një projektligj që lidhet me falimentimin Në mbledhjen e datës 12 maj 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat rimori në diskutim projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8901, datë 23.5.2007, Për falimentimin, pasi e ka diskutuar në mbledhjen e datës 6 mars 2007. Gjatë shqyrtimit të tij në seancë plenare, ky projektligj u kthye për t`u diskutuar përsëri nëpër komisionet kuvendore.
Gjatë diskutimit të tij në mbledhjen e Komisionit ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
Komisioni, përveç ndryshimeve të bëra më parë, bëri amendamente të tjera të karakterit teknik dhe thelbësor, të cilat do t`i paraqiten seancës plenare. Gjithashtu, në këtë projektligj u pasqyruan edhe ndryshime të cilat kanë lidhje me procesin e falimentimit dhe janë pjesë e projektligjit Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, i cili po diskutohet këto ditë në Kuvend.
Komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.) Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektrezolutën për punën e ERT-së
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 12 maj 2008, shqyrtoi projektligjin Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe miratoi projektrezolutën e Komisionit për punën e ERT-së gjatë vitit 2007.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Alketa Mukavelati, përfaqësuesi i ERT-së, Rudolf Papa, si dhe përfaqësues të shoqatave të operatorëve, Evis Karandrea, Sokol Nako, Krenar Loloçi dhe Veno Begaj.
Gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, u shqyrtuan nenet 9-46, për të cilët, pati vërejtje dhe propozime, që do të pasqyrohen në raportin e Komisionit për seancë plenare. Shqyrtimi i projektligjit do të vijojë në mbledhjen e nesërme të Komisionit.
Gjatë shqyrtimit të çështjes së dytë të rendit të ditës, Komisioni miratoi projektrezolutën e paraqitur nga relatorët Flamur Hoxha dhe Ardian Kollozi. Në këtë projektrezolutë ju la detyrë ERT-së të forcojë rolin e saj në sektorin e telekomunikacioneve, të implementojë sa më shpejt metodologjinë e rregullimit të tarifave për Operatorët me Fuqi të Ndieshme në Treg, të ketë vëmendje maksimale përsa i përket tarifave rekomanduese dhe marrëveshjeve të interkoneksionit dhe aksesit, të angazhohet në vlerësimin e ofertave referencë të interkoneksionit të operatorëve OFNT, të realizojë brenda 6 muajve procesin e hartimit të rregullores për ndarjen e llogarive dhe kontabilitetin e kostove për operatorët e telefonisë celulare të shpallur Operatorë me Fuqi të Ndjeshme në Treg, të përgatisë paketat rregullatore që kërkon zbatimi i ligjit të ri Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij, të përgatisë analizën e tregjeve të tjera brenda sektorit të telekomunikacioneve përveç atij të telefonisë fikse dhe celulare, të finalizojë brenda vitit 2008 transferimin dhe funksionimin e domaini-it (ccTLD.al), të ngrejë Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Radiofrekuencave dhe të angazhohet në përgatitjen e propozimeve të nevojshme për aktet ligjore, apo nënligjore. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .