E Diel, 1 Nëntor 2026

20 mars 2008- Amabsadorët e Belgjikës, Lituanisë dhe Sllovakisë në NATO: Të impresionuar nga hapat pozitivë të bëra nga Shqipëria.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Ambasadorin e Belgjikës, Franciskus van Daele, Ambasadorin e Lituanisë, Linas Linkevicius dhe Ambasadorin e Sllovakisë, Igor Slobodník në NATO, të cilët  ndodhen në Shqipëri, për tu njohur me  zhvillimet e fundit, progresin në reforma dhe hapat e ndërmarra në  procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kryetarja, Topalli vlerësoi mbështetjen që Belgjika, Sllovakia dhe Lituania po i japin Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në NATO, ndërsa i njohu shkurtimisht ambasadorët me reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, duke u ndalur në fushën ekonomike, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në reformën zgjedhore.

Shqipëria tha zonja Topalli po punon fort dhe me seriozitet maksimal në reforma të cilat kërkojnë kurajo dhe vullnet të fortë. Në sajë të refomave fiskale Shqipëria është bërë një vend me klimë entuziaste, shumë të favorshme dhe të sigurt në investime. Po ashtu lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka dhënë rezultate të dukshme dhe jemi të vendosur në vijimin e reformave që i shërbejnë, jo vetëm integrimit në BE dhe NATO, por edhe zhvillimit të vendit.


Nga ana e tyre, ambasadorët u shprehën të impresionuar nga ndryshimet e bëra në Shqipëri, nga investimet e mëdha dhe nga reformat e ndërmarra. Ata vlerësuan rezultatet e dukshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionin, gjë që, siç u shprehën ata, i shërben ndryshimit pozitiv të imazhit të Shqipërisë.

Ata thanë se  Shqipëria ka mbështetjen, jo vetëm të vendeve të tyre, por edhe të vendeve të tjera anëtare të Aleancës në perspektivën e anëtarësimt në NATO, ndërsa inkurajuan vijimin e reformave të ndërmarra nga shteti shqiptar.

Ambasadorët e Belgjikës, Sllovakisë dhe Lituanisë  në NATO përgëzuan edhe për hapat e bëra në plotësimin e standardeve zgjedhore, si kartat e identitetit, pasaportat biometrike, apo regjistri elektronik i gjendjes civile.

Ata vlerësuan  rolin e rëndësishëm moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të paqes së qendrueshme dhe shprehën mirënjohje për angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›