12 monodrama në MonoAKT
Nuk ishte aq i lehtë organizimi i Festivalit të Monodramës në Kosovë “MonoAKT”, ndonëse nuk ka qenë e lehtë të fitohet edhe e drejta e organizimit të një festivali të tillë në bashkëpunim me Asociacionin e Festivaleve të Monodramës në Botë “One Man Show”.
Kjo mundësi u krijua pas çmimit “UNESKO”, të cilin e fitoi katër vite më parë monodrama nga Kosova “Ëndrra e Fundit” e aktorit dhe regjisorit Mentor Zymberaj, në realizim të Shtëpisë Teatrore Filmike AKT. “Kështu filloi iniciativa e realizimit të këtij lloji të veçantë të Festivalit edhe në Kosovë, ku me sukses ndodhi në vitin e madh të Pavarësisë së Kosovës, pikërisht në prill të vitit 2008”, theksoi Mentor Zymberaj, drejtues i festivalit “MonoAKT”.
Festivali do të mbahet nga data 17 deri më 22, ku pos pjesës garuese, ka edhe një pjesë tjetër të veçantë, njohjen e pjesëmarrësve nga bota me monumentet kulturore e historike të Kosovës dhe të bukurive natyrore të vendit tonë.
Sikurse edhe dy vitet tjera edhe ky vit fatkeqësisht ishte shumë i vështirë për organizatorët për të vazhduar traditën e festivalit. Zymberaj shprehet se do të duhej vëmendje e të gjithëve për realizimin e këtij festivali, i cili vërtet është i natyrës së veçantë, por edhe për nga forma organizative e artistike është shumë i veçantë dhe i rëndësishëm.
Ky edicion në qytetin e Pejës, në Teatrin Publik “Istref Begolli”, do të sjellë 12 shfaqje (monodrama) nga disa vende të botës si: Polonia, Bullgaria, Shqipëria, Sllovakia, Hungaria, Bosnja, Maqedonia, Ukraina, Kosova etj.
Kosova do te marrë pjesë në konkurrencë zyrtare me shfaqjen nga teatri Dodona “Mos harroni” në regji dhe interpretim të aktorit Ismet Azemi, si dhe monodrama “Laokonti” në regji të Sokol Plakollit e në interpretim të aktorit Selman Lokaj. Ndërsa hapjen solemne do ta bëjë monodrama “Aktori në kuti” e realizuar nga Shtëpia Teatrore Filmike AKT, e cila do të jetë jashtë konkurrencës zyrtare.
Sipas Zymberajt, në këtë edicion, pos shfaqjeve të suksesshme dhe vendeve të ndryshme pjesëmarrëse, në natën finale të festivalit do të ndahen edhe mirënjohje për bashkëpunëtoret që kontribuuan dhe bashkëpunuan në realizimin e projekteve teatrore dhe filmike të AKT-it dhe që kontribuuan në realizimin e Festivalit “MonoAKT”.
“Këto mirënjohje ndahen me rastin e 15 vjetorit të punës së Shtëpisë Teatrore Filmike AKT, e që do të jenë të nderuar artistë të ndryshëm, institucione, kompani, individë dhe personalitete të ndryshme, të cilët në forma të ndryshme ndihmuan dhe kontribuuan këto 15 vite të punës dhe tri vite të edicionit të Festivalit “MonoAKT”, theksoi Zymberaj.
Festivali ka gjetur mbështetje nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Pejës dhe ajo e Vushtrrisë, te cilët, kush në një formë e kush në një tjetër, inkurajuan dhe mundësuan realizimin e këtij edicioni.