E Diel, 1 Nëntor 2026

12-vjeçari në gjendje kome, pas aksidentit në Shijak. Mjekët: Lëvizja në Tiranë rrezik për jetën

DURRES – Një fëmijë 12-vjeçar është plagosur rëndë mesditën e sotme, pasi u përplas nga një automjet në Shijak. Mësohet se 12-vjeçari S.Mustika udhëtonte me biçikletë, kur është përplasur nga një makinë që udhëtonte me shpejtësi.

Vetë drejtuesi i mjetit Volksvagen Passat me targa targa AA 971 FV, i identifikuar si Man Vora 24 vjec, e ka transportuar djalin në spitalin e Durrësit, prej ku mësohet se 12-vjeçari është në gjendje tepër të rëndë.

Mjekët e spitalit të Durrësit kanë kërkuar transportimin e tij në Spitalin Ushtarak në Tiranë, apo në ndonjë spital privat më të specializuar, por transportimi i tij është shumë i vështirë, pasi nevojitet një auto-ambulancë me respiratorë, apo një helikopter i posaçëm.

Familjarët i bëjnë apel ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova për të bërë të mundur transportimin e djalit në një spital të specializuar, në mënyrë që ai të mbijetojë.

Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit, 12-vjeçari ka marrë plagë të rënda në trup dhe ndodhet prej 4 orësh në gjendje kome. 

Nga vendngjarja raportohet se, në Durrës ka mbërritur edhe një ekip me mjekë neurokirurgë nga Tirana, të cilët ekzaminuan 12-vjecarin. Ai iu nënshtrua një skaneri të dytë, rezultati i të cilit tregon se, lëvizja e tij nga Durrësi në spitalet e Tiranës do ishte fatale për jetën

Ekipi i mjekëve shprehet se, “12 vjecari nuk mund të lëvizë nga spitali rajonal i Durrësit, rrezikohet jeta e tij nëse transportohet”. 

Ndërkaq, policia e Durrësit bën me dije se ka arrestuar autorin e ngjarjes dhe po vijohet me veprimet proceduriale të rastit.

TOTOZANI: NXITJE PËR TË BËRË MË TË MIRËN E MUNDSHME
Ora 16:43- Avokati i Popullit, Igli Totozani ka mbërritur në spitalin e Durrësit, për tu interesuar personalisht për gjendjen e 12-vjecarit të plagosur pak orë më parë. “Kam ndjekur situatën nga News 24”, është shprehur fillimisht ai.

“Kam ndjekur apelin që bënë familjarët e 12-vjeçarit, jam këtu për të parë gjendjen e 12-vjecarit të plagosur. Apeli i familjarëve në News24, i dhimbshëm për këdo”, shtoi ai ndërsa nuk nguroi të apelojë që të bëhet më e mira për shpëtimin e fëmijës.

KOSOVA: NGA TIRANA DËRGOHET NË DURRËS NJË EKIP ME NEUROKIRURGË
Ora 16:00- Ministri Halim Kosova është shprehur se gjendja e 12- vjecarit që qendron në koma prej 4 orësh, paraqitet e rëndë, por se po bëhet e pamundura që ai të shpëtojë.

Kosova tha tashëm se në Durrës ka mbërritur edhe ekipi me mjekët neurokirurgë nga Tirana, të cilët mungonin. Ndërsa lidhur me mungesën e barnave në këtë spital, Kosova u shpreh se po bëhet gjithçka që të mos mungojë asgjë që do t’i vinte në ndihmë shpëtimit të jetës së djalit të aksidentuar.

“Do të bëjmë të pamundur që fëmija të shpëtojë”, thotë ai në një prononcim për News 24. 

Mbërritja e neurokirurgëve konfirmohet edhe nga Drejtori i Spitalit Ushtarak në Tiranë.

FAMILJARËT: NUK PO NA PËRGJIGJET ASKUSH
Ora 15:50- Familjarët e 12-vjecarit të aksidentuar shprehen se askush nuk po ju vjen në ndihmë për transportimin e djalit drejt Tiranës, ndërkohë që vazhdojnë të insistojnë që ky i fundit të transportohet me helikopter.

“Në spitalin e Durrësit s’ka autoambulancë me respiratorë. Nuk po na përgjigjet askush, kërkojmë të transportohet me helikopter”, thonë ata.

TOTOZANI: I SHQETËSUAR PËR RASTIN, NË KONTAKT ME AUTORITETET
Ora 15:40- I interesuar për ngjarjen është edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani. Mësohet se ai personalisht është nisur drejt spitalit të Durrësit për tu interesuar për gjendjen e djalit 12-vjecar. 

“Jam i shqetësuar për rastin, në kontakt me autoritet”, ka thënë Totozani. 

Në spitalin e Durrësit ka shkuar deputeti i zgjedhur i Shijakut, Agron Duka si dhe Prefekti i Durrësit.

KOSOVA: DJALI DO TRAJTOHET NË DURRËS, LËVIZJA RREZIKSHMËRI PËR JETËN
Ora 15:25- Në një intervistë për News 24, ministri i Shëndetësisë Halim Kosova shprehet se është duke u marrë personalisht me rastin e 12-vjecarit, që ndodhet në koma në spitalin e Durrësit.

Sipas Kosovës, lëvizja e tij drejt Tiranës paraqet rrezikshmëri për jetën e djalit.

“Po merrem personalisht me rastin. Do të dërgoj ekip me neurokirurg nga Tirana dhe fëmija do të trajtohet në spitalin e Durrësit, pasi lëvizja paraqet rrezik për jetën e tij”, ka thënë Kosova.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›