E Hënë, 2 Nëntor 2026

120 ditë, për t’u kthyer në pikën zero apo në humbës

Shkuan në Uashington, u kthyen, gjendja është e njëjtë, siç e kishin lenë. Procesi politikë për statusin e Kosovës nuk ka lëvizur nga vendi dhe as që shihet se do të lëviz edhe disa javë, jo pa ia qartësuar pozitën që do ta ketë Rusia brenda Grupit të Kontaktit. Derisa nuk qartësohet roli i Rusisë, procesi asnjë herë nuk do të mund të ecë përpara, ose do të lëvizë me shumë vështirësi, duke u shantazhuar dhe rrezikuar të mos gjendet zgjidhje, e që përsëri do të kërkohej të fillohej çdo gjë nga e para.

Anëtarët e Ekipit të (mos)Unitetit shkuan të ndarë, u kthyen të ndarë, në qëndrime e tyre nga Uashingtoni. Edhe pse kryeministri Çeku dhe z. Surroi kanë filluar të tregohen me politikanë dhe e kanë kuptuar me mirë lojën që po luhet, fatkeqësisht presidenti Sejdiu dhe z. Thaçi nuk e kanë kuptuar ende. Megjithatë, z. Sejdiu dhe z. Thaçi nuk janë të padijshëm, ata janë duke synuar me larg, janë duke i ëndërruar kohët e pas statusit, status të cilin ne, por as ata, nuk e kemi të qartë se çfarë do të jetë në fund të procesit të ri të bisedimeve. Pavarësisht si do të jetë ky status, ata kanë vendosur të jetojnë me idenë se, edhe pas kësaj ngjarje, duhet të jenë të parët në Kosovë. Me qartë, të dy këta nuk duan ta prishin “taraqillakun” me ndërkombëtarët për asnjë çështje dhe në asnjë moment nuk kanë qejf të jenë të kritikuarit e bashkësisë ndërkombëtare, madje po ua zënë për të madhe z. Çekut dhe z. Surroit që po turren në data dhe afate, dhe janë duke i përqeshur.

Po mirë, a duhet të vazhdohet edhe me tej me këtë avaz, duke mos kërkuar asnjë alternativë që do t’i ndihmonte, jo vetëm Kosovës, por edhet atyre që dëshirojnë të ndihmojnë proceset tani? Çfarë duhet bërë? Me shumë se asgjë, duhet të provojmë të jemi hartues të politikave dhe jo vetëm konsumues apo zbatues të saj. Liderët politikë të Kosovës duhet të kenë agjendë të qartë, dhe duhet të jem pro politikës që po tentohet të vihet në funksion nga z. Çeku dhe z. Surroi, se Kosova duhet të paraqes një plan për të ardhmen e saj. Nuk duhet pritur gjithnjë që të tjerët të na tregojnë rrugën si të ecet, edhe ne mund t’u tregojmë atyre se nga duhet të vijnë në fund të procesit. Ne e njohim me mirë, në fund të fundit, këtë rrugë të cilën e kemi filluar para me shumë se 15 viteve se nga duhet t’ia mbajmë deri në cak. Nuk duhet të na prijë procesi politikë dhe të na shndërrojë në ekzekutues të tij, duhet t’i paraprihet këtij procesi. Natyrisht se kjo nuk bëhet me deklarata dhe fotografime, ato më nuk pinë ujë dhe u ka dalë moda, me ato nuk mund të fitohen kredi dhe as ta mbushen zbrazëtirat e krijuar mes liderëve politikë dhe qytetarëve. Fotografia me Sekretaren Rice nuk ndihmon, kjo duhet të kuptohet tani.

Me këto sjellje prej të dëgjueshmit të urtë, çfarë mund t’i ofrohet si perspektivë procesit politikë në Kosovë dhe qytetarëve? Nëse nuk keni një agjendë tuajën, atëherë është shumë e qartë se duhet nënshtruar asaj ndërkombëtare. Për dy dekada ne iu nënshtruam kësaj agjende, por as sot nuk ka arrit kjo agjendë të gjejë zbatim. Asnjë herë nuk u benë llogarit se, ku ishte gabim që nuk u realizua kjo agjendë e bashkësisë ndërkombëtare, as kjo e fundit e presidentit Ahtisari. Shumë lehtë për ta gjetur përgjigjen! Liderët politikë të Kosovës kurrë nuk kanë qenë hartues dhe bartës të proceseve politike të dala prej tyre, por vetëm ekzekutues dhe zëdhënës të politikave ndërkombëtare. Kjo situatë do të vazhdojë si e tillë derisa nuk ndryshon edhe qasja ndaj problemeve, derisa ne nuk do të jemi në gjendje që bashkësisë ndërkombëtare t’i ofrojmë një agjendë të qartë për të ardhmen tonë, se si ne e kemi menduar dhe po punojmë për t’i arrit objektivat tona. Është çështje tjetër se a pajtohen apo jo ndërkombëtarët, por është e sigurt se edhe ata kur shohin vendosmërinë tonë, sigurisht se do të reflektojnë pozitivisht dhe do të na mbështesin në agjendën tonë.

Deri tani nuk kemi parë një plan konkret nga Ekipi i Unitetit se, si ata e kanë menduar realizimin dhe funksionimin e kësaj pavarësie. Nuk mund ta bindësh bashkësinë ndërkombëtare me fjalë, nuk bindet ajo vetëm me dëshirën tonë se duam pavarësi. Pavarësi dëshiron edhe Tajvani, por iu mohua këto ditë po nga Këshilli i Sigurimit, edhe pse Tajvani i ka punët 100 herë me mirë se ne, që të jetë shtet i pavarur. Kjo klasë politike sot po rrezikon ëndrrën e qytetarëve, sepse nuk është serioz dhe aspak punëtore. Është llafazane, që e kanë mërzit qytetarin me fraza të njëjta që shumë vite, pa ndryshuar as edhe një presje apo pikë.
Nuk vëren, kjo është shenja me e qartë se këshilltarët e Ekipit të Unitetit janë partiak dhe jo profesional, që ata i kanë bërë analizë qoftë edhe një deklarate të bërë nga ndonjë diplomatë, politikanë apo institucion ndërkombëtar. Mese disa herë ditëve të fundit kemi dëgjuar se si deklarohet nga këto adresa, se Plani i Ahtisarit do të jetë bazë për negociata. Kjo është kuptuar sikur Kosova e paska të garantuar pavarësinë, siç po thuhet. Aspak bindëse, sepse pakoja e Ahtisarit nëse është baza, që aq shumë janë bërë lëshime në të, do të thotë se fundi i ardhshëm i negociatave apo ai farë kompromisi që po kërkohet, do të jetë edhe me i keq dhe, edhe me shumë në disfavorin tonë. Do të thotë se duhet renë edhe me poshtë se kjo pako, ata tani e kanë të qartë se pala shqiptare mbron pakon e Ahtisarit që ofron pavarësi të mbikëqyrur, ndërsa Serbia autonomi brenda kufijve të saj. Një kompromis mes këtyre dy qëndrimeve del, as autonomi dhe as pavarësi e mbikëqyrur, diçka me në mes, ndoshta status i ngjashëm me atë që sot ka Tajvani dhe që po kërkon ta ndryshojë, por që është po i njëjti Këshill i Sigurimit, ku çështja e Kosovës do të kthehet përsëri me vonë për ta konfirmuar zgjidhjen, që sikurse Tajvanit, edhe Kosovës do t’ia refuzojë pavarësinë, sepse aty janë Rusia dhe Kina me të drejtë Veto-je.
Mund të mos jetë bindës ky përfundim, por kur përmendët pakoja e Ahtisarit si bazë për negociata të reja dhe si pikë ku mund të gjendet kompromisi në bisedimet e ardhshme, duhet pasur parasysh se asgjë nuk do të hiqet nga ajo që u është dhenë serbëve, përkundrazi ata do të përfitojnë ende me shumë, ua kemi bërë monotonë liderëve tanë politikë duke u thënë se ata do të arrijnë të kenë autonomi “brenda” Kosovës, por në anën tjetër do të kërkohet që pala shqiptare të heq dorë edhe me tutje nga disa parime apo qëndrime që ka mbajt deri me tani. Mund të hidhet poshtë ky supozim, por ngjarjet e ardhshme do t’i qartësojnë këto plane që sot janë duke qarkulluar dhe do të shihet se pakoja e Ahtisarit vërtet ka qenë bazë për bisedime, por që mbrojtja apo kapja pas saj i ka kushtuar palës shqiptare. Kjo pako që mbrohet me aq fanatizëm nga liderët politikë, ose duhet hyrë në fuqi tani para se negociatat të fillojnë, ose duhet hedhur poshtë tërësisht dhe kur të shkohet në negociatat e reja ajo të mos vlejë dhe asnjëra nga lëshimet e bëra brenda saj.
Ndryshe kjo i bie se në negociatat e reja pala shqiptare do të hyjë me rezultat të disfavorshëm dhe do të dalë humbësja me e madhe e procesit të ri të bisedimeve. Këtu e vetmja zgjidhje, për të mos pasur këtë rezultat, është, ose pranim i atij rezultati që ka dalë nga bisedimet e kaluara, ose proces i ri, që do të zgjaste shumë dhe që nuk do të gjendej kompromis mes palëve, por që përsëri do të imponohej një zgjidhje. Nëse deri tani nuk ka pasur vizion dhe ide të qarta për procesin, por është shkuar si “muça pas daive”, apo vetëm duke ndjek procesin dhe jo duke i prirë apo krijuar proces, nuk është ende tepër, tepër vonë, se vonë është bërë, që tani të shkohet në këtë variant, prezantimi para ndërkombëtarëve i një strategjie konkrete për pavarësinë e Kosovës. Orar i qartë kalendarik i përmbushjes së obligimeve dhe një datë të fundit se kur do të jetë mjaftë dhe konkretizimi i atij kalendari apo asaj agjende. Ndryshe nga procesi i ri i bisedimeve Kosova do të dalë humbëse para Serbisë, do të ketë shumë me shumë presione për lëshime të reja dhe ne e dimë sa u përballojnë liderët politikë të Kosovës këtyre presioneve, aq me shumë kur ëndërrojnë të ardhmen e tyre politike pas statusit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›