E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamtumirë AMBO!

Ëndrra shqiptare për të përfituar 50 milionë dollarë në vit nga projekti i famshëm AMBO është copëtuar. Lufta diplomatike ka zgjedhur fituesit dhe korridori triumfues është Burgas-Aleksandropolis. Lamtumirë AMBO! Por kjo lamtumirë duket se e ka marrë fillesën prej kohësh. Gjasat tregonin këtë finalizim, edhe pse Shqipëria dhe Maqedonia shpresonin deri në minutën e fundit nga projekti amerikan, që u kanalizua sipas interesave ruse. Ndërtimi i naftësjellësit që rivalizon AMBO-n tashmë është realitet, përderisa palëve u ka mbetur veç të grinden për vendin që do të ketë ndërtesën ku merren vendimet e përbashkëta. Evidencat janë të thjeshta dhe vlerësuesit në rastin konkret janë statistikat. Rusia është pronari kryesor i naftësjellësit, me 51% të aksioneve, ndërsa Bullgaria dhe Greqia zotërojnë përkatësisht pjesën tjetër të aksioneve. Dukej se çështja AMBO që ka arritur finishin kishte marrë rolin e një rivali që qëndronte në ajër, përderisa llogaritë ishin bërë kohë më parë. Dikur, sipas një projekti të iniciuar nga ish – presidenti Klinton, tubacionet parashikohej të fillonin nga Porti i Burgasit në Bullgari, ku është terminali i hyrjes së naftës, të kalonin nëpër Maqedoni dhe të përfundonin në terminalin përmbyllës në Gjirin e Vlorës. Sipas raportuesve dhe teknicienëve, problemi është se në çdo hallkë të projektit AMBO nuk ka as edhe një shans teknik apo politik të ndërtohet, për derisa të dy naftësjellësit synojnë të njëjtët klientë, duke përdorur të njëjtat vendburime nafte, të cilat edhe pse nuk janë tërësisht ruse, përsëri janë republika satelite të Kremlinit. Kjo është arsyeja përse këto dy projekte janë cilësuar si rivale ndaj njëra-tjetrës, edhe pse njëra prej tyre hynte në luftë me shumë avantazhe. Kompania AMBO, me seli në Nju-Jork, është iniciatore e projektit të naftësjellësit me gjatësi 576 milje ose rreth 913 kilometra, i cili parashikohej të transportonte naftën bruto të Rusisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit dhe Turkmenistanit. Tubacioni i propozuar me di, duhej fjalë për naftën e Kremlinit, i cili tradicionalisht ka mbështetur projektin greko-ruso-bullgar, Burgas-Aleksandropolis. Ky i fundit, gjithashtu, nis nga Burgasi i Bullgarisë, por anashkalon Maqedoninë dhe Shqipërinë për të përfunduar në Aleksandropolis të Greqisë. Distanca e këtij projekti paraqitet më e gjatë dhe kostot më të larta, por nga ana tjetër, ai shmang dy vende të cilësuara pro-amerikane: Shqipëria dhe Maqedonia. Përpjekjet shqiptare për të përfituar nga ky projekt ishin thjesht një hap i tipit “të dalë ku të dalë”, ndërsa kalkulimet diplomatike ndërkombëtare nuk mund të sillnin rrethana të tjera. Është e qartë se për çështje të kësaj rëndësie, me prirje të theksuara partneriteti nacionalist, pranohet të investohen miliona dollarë më shumë sesa t’i bësh “nder” dy shteteve “armike”. Ky projekt mori ngjyra filo-sllave, ndërsa konkurrenti i tij AMBO ( ku sigurisht do të përfitonte edhe vendi ynë) pati destinacion të parapërgatitur. Madje aq i shpejtë duket të ndodhë ky projekt, saqë ndërtimi i tij është vendosur të jetë brenda 2008-ës. Reagimet nga palët përfshirëse të projektit AMBO ishin pothuajse inekzistente, pasi rezultati u bë i qartë para se të merrej vendimi. Gjithësesi kjo histori tashmë e mbyllur, do të mbetet një paragraf i çështjeve diplomatike dhe do të kujtohet si një precedent që i ka rrënjët thellë në marrëdhëniet etnike dhe interesat politike të shteteve që gatuajnë politikat ndërkombëtare, duke e përkthyer çdo vendim sipas interesit vetjak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›