E Martë, 3 Nëntor 2026

120 kg trafik kokaine Shqipëri-Itali/ Goditet grupi kriminal prej 18 personash, iu sekuestrohet pasuria 1 mln euro

Struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka goditur një grup kriminal prej 18 personash që akuzohen për trafikim lëndësh narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë, midis tyre 120 kilogramë kokainë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në Itali dhe në Shqipëri është bërë e mundur që të zbulohet një grup kriminal që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka pasur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim, “si dhe është zhvilluar në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike”.

SPAK shpjegon më tej se grupi kriminal është krijuar dhe është drejtuar nga të pandehurit Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, të cilët kanë koordinuar veprimet midis tyre për drejtimin e grupit kriminal.

“Si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë, të cilët në vënde dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Ata akuzohen për kryer veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

“Të pandehurit Florid Vukaj, Lulzim Selimi, Dhimitër Nina, Dorian Beu, Syrjan Tola, Ramazan Grada, Igli Lala, Saimir Prenga, Rexhep Dallupi, Enkeleda Bakalli dhe Gjergji Luli, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 283, paragrafi (1), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”, thekson më tej SPAK.

Ndërkaq, të pandehurit Alfred Luli, Ilir Duro, Françesko Çeçi, Lorik Prengaj, Gjergj Zefi, Renato Zefi dhe Eledjo Dedej, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga ana e saj, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar  ka vendosur masën e sigurimit “Sekuestro preventive” ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të drejtuesve të grupit kriminal, të pandehurve Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu. Me vendim të gjykatës janë sekuestruar 3  shoqëri tregtare dhe asetet e tyre, katër aktivitete të tjera tregtare, anije peshkimi, automjete, 5 pasuri të paluajtshme të llojit “Njësi”, një apartament dhe një garazh.

“Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme kanë një vlerë rreth 1,000,000 (Një milion) Euro dhe sekuestrimi i tyre është kryer me arsyetimin se vlera e tyre iu korespondon vlerës së produkteve të veprës penale, të cilën të pandehurit kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal”, shkruan më tej SPAK, ndërsa bën të ditur se ka dërguar për gjykim dosjen e grupit të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike midis Shqipërisë dhe Italisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›