Mercenarët serbë të Mitrovicës, pengmarrësit e sovranitetit të Kosovës
Në fillim të viteve të tetëdhjeta, kur e patën pagëzuar Mitrovicën me emrin e Titos, mixha Izer, një humorist i papërsëritshëm në rrafshin e Moravës, kishte protestuar duke ecur nëpër fshatin e tij dhe duke folur vetë me vete: “Baba ia ka lanë atij he nënën...” Fshatarët e kishin kuptuar se ai diçka po thoshte, por nuk mund t’ia qëllonin se për çka e kishte fjalën. Njëri nga ta që kuptonte më mirë filozofinë e këtij humoristi, të cilin kurrë askush nuk e kishte parë duke qeshur, por që kurrë askush që ishte takuar me të nuk kishte mbetur pa u shqyer në gaz, e kishte kuptuar se fjalën e kishte për qytetin e artë të Mitrovicës. Mixha Izer ishte antikomunist në bindje dhe e dinte se pagëzimi i Mitrovicës së Kosovës me emrin e mareshalit të Jugosllavisë, përbënte një simbolikë të rrezikshme. Ai Jugosllavinë e identifikonte me Serbinë. Gjuha e tij alegorike e përafërt me të Ezopit dhe cinizmi i tij i përafërt me të Diogjenit, i kishin ndihmuar t’i shpëtonte ndëshkimeve politike dhe njerëzit t’i argëtonte me një humor të zi politik. Jo vetëm shkatërrimi i Jugosllavisë dhe ardhja e Amerikës së Hysen Tërpezës në Kosovë, por edhe shumëçka tjetër që ai kishte predikuar nëpërmjet një humori të kultivuar mrekullueshëm u dëshmua në vazhdimësi. Po ai tash nuk është më që të na tregoi se si mund t’i qitet rrethi Mitrovicës, përkatësisht Veriut të Kosovës. Kjo parantezë më ndihmoi që më mirë ta shoh dhe lexoj pllakatin e KFOR-it të vendosur në buzë të urës mbi lumin Ibër, në të cilin shkruan “Zbulojeni Kosovën”. Ky mbishkrim i vendosur nga forcat paqeruajtëse nga qytetarët mund të shihet si shumë provokues dhe si shumë cinik, ndërsa nuk ka mundësi të kalohet andej për ta njohur atë pjesë të Kosovës, por nga politikanët mund të shihet me një domethënie nxitëse, në kuptimin që duhet shtrirë pushtetin andej për ta bërë të mundur lëvizjen e lirë dhe njohjen e asaj pjese të Kosovës. Të parët që kaluan andej për ta njohur këtë pjesë ishin pjesëtarët e njësive speciale të policisë së Kosovës. Ta quajmë kushtimisht ekskursioni i tyre deri në pikat kufitare që ndajnë Kosovën me Serbinë datën e 25 korrikut e bënë të rëndësishme, madje dhe historike, pavarësisht që ata këtë territor nuk e shkelën me këmbë. Dhe sigurisht që asgjë nuk mund të jetë si më parë. Ky marrshim i policisë kosovare nëpër këtë territor, nëse për asgjë tjetër, kishte simbolikën e vet. E siç dihet në Ballkan simbolet kanë rëndësi shumë të madhe, sepse vazhdojnë të prodhohen mbi shtratin e miteve, të cilët nuk janë zhveshur nga referencat politike as sot. Dëshmi për këtë është prezenca e priftërinjve serbë nëpër barrikada andej dhe djegia e flamujve serbë bashkë me prodhimet e importuara nga ky vend këndej. Në kuadër të kësaj logjike të prodhuar me shekuj, një simbol përbën edhe ndërtimi në Mitrovicë i xhamisë më të madhe në Kosovë nga ana e Turqisë, për çka ka krijuar reagimin e serbëve duke ndërtuar kështu një referencë huntingtoniane. Piromanët e mbetur serbë, vazhdues të politikës së kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, janë koncentruar në Veri duke kultivuar krimin e organizuar, për të dëshmuar atë që e kishte thënë intelektuali serb nga Kosova, Milenko Karan, se luftërat në këto hapësira kishin kuptimin e plaçkës. Këto mbeturina kriminale-piromane mbajnë peng sovranitetin e Kosovës dhe integrimet e Serbisë në Evropë. Për më keq, gjë kjo e cila përbën shqetësim për ne, është fakti se komandanti i KFOR-it, gjenerali Buhler thotë që strukturat kriminale ne këtë pjesë të Veriut të Kosovës janë multietnike! Mbase gjenerali ka mundur ta mbështes deklaratën e tij edhe në paralajmërimet e lëvizjes “Vetëvendosje” për një publikim të një liste me emra kriminelësh shqiptarë që u takojnë këtyre strukturave të përziera. E rëndësishme është që në këtë rast të kuptojmë se problemin e Veriut e kemi ndihmuar edhe ne, siç e kishim ndihmuar pagëzimin e Mitrovicës me emrin e Titos për ta shndërruar këtë qytet të arit në një simbol politik.
Në këtë situatë të krijuar është interesant si nuk zuri vend në media deklarata e së enjtes lëshuar nga kampi amerikan “Bondsteel”. Komandanti i Grupit Shumëkombësh të Lindjes, koloneli Schwartz, jo vetëm që inkurajon qytetarët e Kosovës, por edhe përshkruan qartë gjendjen e krijuar atje. Duke qenë në vend të ngjarjes dhe duke biseduar me protestuesit, koloneli Schwartz ka kuptuar se në bllokada janë të pranishëm edhe njerëz të detyruar nga strukturat paralele dhe udhëheqësit lokalë të krimit të organizuar. Kjo bën dëshminë më të mirë se këto struktura paralele mbajnë peng sovranitetin e Kosovës dhe integrimet evropiane serbe pikërisht nëpërmjet pengmarrjes së banorëve në këtë pjesë të Veriut të Kosovës. Kjo është një dëshmi se pa lirimin e këtyre qytetarëve nga strukturat kriminale, nuk mund të bëhet fjalë për lirim të lëvizjes ndërkufitare. Prandaj është shumë domethënëse dhe shumë shpresëdhënëse deklarata e kolonelit Schwartz, lëshuar nga kampi “Bondsteel” se aktualisht Grupi i Betejës ka nën kontroll pikën hyrëse të Jarinës dhe do të përdorë forcë po të jetë e nevojshme për t’u siguruar një mjedis i qetë e i sigurt si dhe liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që e respektojnë ligjin. E nëse KFOR-i, EULEX-i dhe policia e Kosovës arrijnë t’ia qesin rrethin kësaj pjese veriore të Kosovës, bandat kriminale do të zihen si minjtë në kurth dhe nuk do të mund të shpëtojnë as nga strategjitë e Beogradit, të cilat proklamojnë përdorimin e mjeteve paqësore, të ngjashme me ato që përdorën shqiptarët e Kosovës, duke fituar mbështetjen ndërkombëtare, veçmas asaj të SHBA-ve. Mixha Izer i kishte besuar Amerikës. Nuk na mbetet tjetër as neve pos për ta kultivuar këtë besim dhe për të rritur shpresat se liderët tanë politikë do të ndërgjegjësohen më në fund dhe do ta kuptojnë se këto 12 vite nuk kemi bërë gjë për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin.