E Diel, 1 Nëntor 2026

120 peme te reja i shtohen rruges Bedri Karapici ne njesine bashkiake nr 6

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka shprehur sot angazhimin e tij, për të mbjellë brenda këtij mandati në Bashkinë e Tiranës katër herë më shumë pemë se në periudhën 2000-2011. Zoti Basha ka inspektuar sot mbjelljen e pemëve në rrugën “Bedri Karapici”, në njësinë bashkiake nr. 6. 120 fidanë, pemë e llojit bli janë mbjellë përgjatë kësaj rruge, në të cilën kishte mbi 30 vite që nuk mbilleshin pemë.  

“Kjo është pjesë e sezonit të mbjelljeve të këtij fillim viti, i cili faktikisht sheh 3 mijë pemë të mbjella anembanë qytetit dhe një numër të madh bimësh të tjera, bimësi të tjera të gjelbërimit të mesëm dhe të shkurreve. Cilësia e ajrit në qytetin e Tiranës ka qenë dhe mbetet një shqetësim kryesor për qytetarët, prandaj  për Bashkinë e Tiranës dhe mua personalisht një nga rrugët më të rëndësishme, më të qëndrueshme të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe të përmirësimit nëpërmjet cilësisë së ajrit, të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës, nga foshnjat deri tek të moshuarit është gjelbërimi sa më i madh, jo vetëm nëpërmjet parqeve, jo vetëm nëpërmjet rehabilitimit të sipërfaqeve urbane por edhe nëpërmjet dendësimit të gjelbërimit që sjellin pemët e reja në qytet. Kudo në qytetin e Tiranës ku ne kemi mundësi të mbjellim një pemë, do ta mbjellim atë pemë dhe deri në fund të mandatit tim të parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ne do të kemi mbjellë anembanë Tiranës katër herë më shumë pemë se sa periudha 2000-2011” – theksoi Basha.

Gjatë një viti e gjysmë të drejtimit të Bashkisë nga z. Basha janë mbjellë rreth 12 500 pemë në qytet dhe deri në fund të vitit, numri i tyre do të shkojë në 18 mijë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›