E Diel, 1 Nëntor 2026

13 infermiere trajnohen për reanimim të të porsalindurve

Rreth 13 mami-infermiere të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë janë trajnuar mbi teknikat e reanimimit dhe stabilizimit të fëmijëve të porsalindur. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, gjatë një ceremonie ka shpërndarë certifikata për 13 pjesëmarrëset në trajnimin për formimin e infermiereve dhe teknikat në reanimimin dhe stabilizimin e fëmijëve të porsalindur në SUOGJ. Drejtori i spitalit, Halim Kosova, u shpreh se “ndërtimi i një zinxhiri të mësuari dhe të trajnuari në praktikë është i vlefshëm për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës”. Sipas tij, ndërtimi i një klase të tillë për trajnim do të jetë i përhershëm në këtë institucion shëndetësor, ku mami-infermieret do të kenë mundësinë të mësohen me fëmijë artificialë dhe veglat e duhura, para se të shkojnë tek i porsalinduri dhe nëna.

Kompania “Glaxosmithkine” dhuron 250 vaksina kundër gripit “Fluraix”

Kompania farmaceutike angleze “GlaxoSmithKine” dhuroi 250 vaksina antigrip të tipit "Fluraix", për shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga kjo sasi, 150 doza u janë dhuruar të sëmurëve kronikë pranë klinikës së Onko-Hematologjisë në spitalin Pediatrik të QSUT-së, 80 doza u dhurohen të sëmurëve kronikë me Fibrozë Cistike pranë klinikës së Pneumo-Alergologjisë (po në spitalin Pediatrik) dhe 20 doza, fëmijëve të sëmurë me AIDS. Doza e vaksinave nga kompania angleze iu dhurua drejtorisë së QSUT-së, gjatë një takimi të zhvilluar në mjediset e shërbimit të Pediatrisë, ku ndodhej dhe drejtorja e përgjithshme e QSUT-së, dr. Gjeorgjina Kuli.

Shpenzimet e ligjvënësve, të panjohura

Shpenzimet e ligjvënësve shqiptarë duket se do të vazhdojnë të jenë të panjohura. Përveç faktit që institucioni i Kuvendit ka një buxhet vjetor prej 14 milionë eurosh, nuk dihet sasia që shpenzohet për të mbajtur deputetët. Mesatarisht, një deputeti i takojnë 100 mijë euro në vit, duke bërë një përpjesëtim të buxhetit, por nuk dihen shpenzimet operative që bëhen për ligjvënësit. Nëpërmjet një shkrese zyrtare të protokolluar, gazeta kërkoi një informacion të detajuar në lidhje me shpenzimet për çdo deputet gjatë gjithë vitit 2007, duke përfshirë pagën, shpenzimet telefonike, udhëtimet, karburantet, dietat si dhe shpërblimet, në rast se ka të tilla. Pavarësisht se ligji parashikon një afat 15-ditor për të kthyer një përgjigje negative, administrata e Kuvendit nuk e bëri një gjë të tillë. Ligji përcakton një afat 40-ditor për dhënien e përgjigjes pozitive, por edhe një gjë e tillë nuk u bë. Pavarësisht se shkresa u dorëzua në datën 12 gusht, në datën 7 tetor, përgjigjja e vetme ishte se “duhet të prisni akoma”. Thyerjen e afatit zyrtarët e administratës e lidhën me faktin se muaji gusht ishte muaj pushimesh dhe për këtë nuk mundën të respektonin afatin. Duke llogaritur datën 1 shtator, që sipas punonjësve filloi puna me kohë dhe staf të plotë, përgjigjja përsëri nuk ishte pozitive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›