Gjermania, 90 milionë euro për Shqipërinë
Gjermania, një nga vendet që ka dhënë ndihmat më të mëdha për vendin tonë, ka dhënë dhe një mbështetje tjetër prej 90 milionë eurosh. Siç bën të ditur ambasada gjermane në Tiranë, dje u organizuan në Tiranë bisedimet qeveritare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë mbi bashkëpunimin dypalësh për zhvillim. “Qeveria Federale Gjermane i premtoi Shqipërisë për vitet 2008-2009 mbështetje të mëtejshme ne shumën 90 mln. euro nga buxheti i Republikës Federale. Mbështetja do të jepet në formën e kredive me përqindje të favorshme, të ashtuquajturat kredi zhvillimi ose në formën e subvencioneve. 85,75 mln. euro do t’i kalojnë fushës së bashkëpunimit financiar dhe 4,5 mln euro fushës së bashkëpunimit teknik”, - shprehet në deklaratën e saj kjo ambasadë. Të dyja palët shprehën kënaqësinë e tyre në lidhje me rezultatet e arritura të bashkëpunimit për zhvillim dhe ranë dakord që ta vazhdojnë këtë si deri tani në tri fushat kyçe (furnizimi me ujë të pijshëm/kanalizimet dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta; energji; zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë). Protokolli i bisedimeve u nënshkrua nga dy drejtuesit e delegacioneve në kuadër të një pritjeje festive organizuar me rastin e 20-vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim midis dy vendeve. Që prej nënshkrimit të protokollit të parë të bisedimeve qeveritare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, më 22 tetor 1988, Gjermania i ka vënë në dispozicion Shqipërisë mbështetje prej më shumë se 700 mln. euro.