Faza e tretë, në mesjavë datat dhe kriteret e regjistrimit
Gjatë kësaj jave do të firmoset udhëzimi për vendet e mbetura bosh në universitete. Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho, bëri të ditur se këtë javë ministri Beja do të nënshkruajë udhëzimin për mënyrën e rishpërndarjes së kuotave të parealizuara në universitete. Ndërkohë, burime nga Ministria e Arsimit bënë me dije se ka mundësi që Formulari A3 të rivihet në jetë për të shmangur proceset e gjata të regjistrimit.
Faza e tretë e regjistrimeve
Por metoda e fazës së tretë të regjistrimeve nuk është përcaktuar ende, kjo, për shkak se udhëzimi i regjistrimeve parashikonte vetëm regjistrimin paraprak dhe përfundimtar e jo regjistrimin pasardhës. Gjithsesi, burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se kjo fazë e re regjistrimesh pritet të kryhet me formular të posaçëm të cilin do e plotësojnë jofituesit në universitete, ndërkohë që në këtë fazë do të përfshihen edhe kandidatët për në filialin e porsaçelur të Universitetit Bujqësor të Tiranës në Lushnjë.
Burime nga ministria bënë me dije se Formulari A3 do të plotësohet nga jofituesit, në mënyrë që të mos ketë faza të tjera regjistrimi dhe procedurat të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Më pas, ata do të renditen në vendet e mbetura bosh dhe do të thirren të regjistrohen. Burimet bëjnë të ditur se kjo do të jetë etapa e fundit e regjistrimit, pasi edhe nëse do të mbeten sërish kuota bosh, ato nuk do të rishpërndahen.
Kuotat e mbetura
Në Universitetin e Tiranës kanë mbetur 264 kuota bosh gjithsej. Drejtësia, Financa, Farmacia dhe Shkencat Politike i kanë plotësuar të gjitha kuotat e tyre, duke u dhënë fund shpresave të atyre që mendonin se mund të kalonin në këto degë në fazën e tretë të regjistrimeve.
Por, edhe degët e tjera të parapëlqyera nga maturantët kanë kuota të pakta të lira. Kështu, Informatika Ekonomike, Teknik Laboratori, Stomatologjia dhe Kimia Ushqimore kanë vetëm nga një kuotë të lirë secila. Ndërkohë, pas tyre vijnë degët e tjera. Ndër fakultetet, pas Juridikut është Mjekësia që ka numrin më të vogël të kuotave të mbetura bosh me 9, e ndjekur nga Ekonomiku, Shkencat Sociale dhe Historia e Filologjia, me 10, 14 dhe 17 vende bosh përkatësisht. Ndërkohë, fakultetet më pak të zgjedhura nga maturantët janë Shkencat Natyrore dhe Gjuhët e Huaja me 101 dhe 88 përkatësisht.
“Shtrëngohen rripat” për grosistët e barnave, shtohen kriteret
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, raportoi dje në Komisionin e Shëndetësisë ndryshimet e bëra në ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”
Blerta Mrishaj
Komisioni i Shëndetësisë rimori në shqyrtim ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka prezantuar dje ndryshimet dhe shtesat në këtë ligj. Sipas Godos, ndryshimet paraprake të ligjit do të sjellin liberalizim dhe rregullim të tregut farmaceutik.
Komisioni
Ky ligj është paraqitur përpara këtij komisioni edhe disa muaj më parë nga ish-ministri i Shëndetësisë, z. Nard Ndoka, por nuk është pranuar nga ky komision dhe është rikthyer për rishqyrtim në MSH. Rishikimi i këtij ligji u bë me bashkëpunimin e ekspertizave ndërkombëtare, nën kujdesin e ministres së Shëndetësisë, znj. Godo. Sipas kreut të Shëndetësisë, Godo, pjesa e ligjit për farmaceutikën ishte plot të meta, dobësi, e cila niste që me kalimin pa asnjë pengesë të medikamenteve në dogana. “Në ndërhyrjen që i është bërë projektligjit, asnjë bar farmaceutik nuk do të kalojë pa iu nënshtruar më parë një kontrolli të imtësishëm doganor”, - sqaroi Godo.
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka cilësuar me vend ndërhyrjet në projektligj, por kërkohet që ai të rikthehet sërish për miratim në qeveri, pasi ndryshimet, të cilat shoqërohen me krijimin e disa strukturave të reja, kanë një faturë financiare, për të cilën qeveria duhet të japë aprovimin e saj.
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka kërkuar që në ligjin për farmaceutikën të përcaktohet edhe ngritja pranë doganave e mikrostrukturave me specialistë të cilët të bëjnë analizën e medikamenteve. Ligji kaloi në parim dhe mori mbështetjen nga anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, për t’u parë më pas nen për nen.
Në ndërhyrjen që i është bërë projektligjit, barnat farmaceutike do të kalojnë më parë një kontroll të imtësishëm doganor. Gjithashtu, do të ngrihen zyra rajonale të kontrollit të barnave pranë DSHP-së në rrethe.
Import-eksporti i barnave
Veprimtaria import-eksportit e barnave ushtrohet nga persona juridikë, vendas ose të huaj, vetëm pas marrjes së licencës profesionale për drejtuesin teknik farmacist me përvojë pune 2-vjeçare në profesion. Ndërsa barnat e regjistruara importohen nga importuesit e autorizuar në bazë të regjistrit të botuar të barnave. Procedura e importit bëhet pranë zyrave doganore të hyrjes.
Drejtues teknik i importuesit, eksportuesit dhe shpërndarësit farmaceutik është farmacisti, anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me një përvojë pune mbi 2 (dy) vjet në sektorin farmaceutik, i cili përgjigjet për të gjithë veprimtarinë, teknike dhe profesionale, që zhvillon subjekti në fjalë.
Inspektorët farmaceutikë, në rast se vënë re kundërvajtje administrative, urdhërojnë pezullimin e veprimtarisë e heqjen e licencës. Inspektorët farmaceutikë bëjnë bllokimin dhe konfiskimin e barnave në rastet e shkeljeve që përcaktohen në këtë ligj.
Barnat e konfiskuara që janë të përdorshme, me dokumentacion të rregullt,
kalojnë në administrim të Ministrisë së Shëndetësisë. Barnat e bllokuara dhe të konfiskuara të cilat janë të papërdorshme, asgjësohen në prani të inspektorëve farmaceutik me procesverbal të rregullt, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, me shpenzimet e subjektit që ka bërë shkeljen.
Tregtimi me shumicë
Ndërsa, pikë tjetër është edhe tregtimi me shumicë i barnave. Veprimtaria e tregtisë me shumicë e barnave ushtrohet nga persona juridikë, vendas ose të huaj, të pajisur me licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Për fillimin e kësaj veprimtarie subjekti i interesuar deklaron se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni. Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune. Nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk shprehet, drejtoria farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund t’i delegojë këtë kompetencë QKKB-së, e cila duhet të shprehet për 10 ditë. Pas marrjes së raportit të inspektimit të lëshuar nga DSHP-ja përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë ka kohë 10 ditë pune për të dhënë licencën. Licenca tërhiqet nga subjekti pranë zyrave të DSHP-së rajonale. Subjekti i licencuar për veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave mund të tregtojë me shumicë edhe materiale mjekimi aksesore si dhe artikuj higjieno-kozmetikë.
Tirana, pa banja publike, Shalsi: Koha t’i kthejmë në kimike
Mungesa e banjave publike në kryeqytet ka bërë që Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve të protestuar dje para Bashkisë së Tiranës. Në përgjigje të kësaj proteste, nënkryetari i Bashkisë, z. Eduard Shalsi, deklaroi se në vend të banjave publike, do të ndërtohen banja kimike në kryeqytet.
Në praninë e disa të rinjve, drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj, ka protestuar duke vendosur oturakë para Bashkisë së Tiranës. Goxhaj tha se “ky është një demonstrim qytetar, një pjesë e reagimit të shoqërisë civile, kundër zhdukjes së hapësirave publike në kryeqytet”. Sipas tij, hapësirat e gjelbra janë domosdoshmëri, por jo në dëm të hapësirave publike, të cilat Bashkia e Tiranës duhet t'i miradministrojë në dobi të konsumatorëve''.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, duke komentuar protestën, është shprehur: "Ka ikur koha e banjave publike dhe ka ardhur koha e banjave kimike. Më vjen keq që nuk mbrohen interesat e konsumatoreve, por bëhen protesta për forca politike", - u shpreh Shalsi.
Në të gjithë Tiranën gjendej vetëm një banjë publike, e cila ndodhej pranë “Ushtarit të Panjohur”, por falë rindërtimeve, edhe ajo u mbyll. Aktualisht, në të gjithë kryeqytetin nuk ka asnjë banjë publike.