14 janari, marrëveshje VV-Polici e Kosovës
Policia e Kosovës nuk do të bllokojë tubimin e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” drejt pikave kufitare në Merdare dhe Dheu i Bardhë ditën e shtunë, ndërsa “Vetëvendosje” nuk do të bllokojë rrugët me zhavorr ose pengesa tjera, por vetëm me trupa të njerëzve dhe kjo vetëm në një pjesë të rrugës, për të bllokuar hyrjen e kamionëve me mallra serbe.
Ky është rezultati i takimit të sotëm ndërmjet përfaqësuesve të Policisë së Kosovës dhe të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë, raportojnë mediat vendase.
Mirëpo, përfaqësuesit e VV-së kanë thënë se aksioni i tyre për zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë nuk do të zgjatë vetëm një ditë. Ata kanë theksuar se aktivistët do të qëndrojnë ditë e natë në këto pika të kalimit kufitar, deri sa të fillojë zbatimi i masave të reciprocitetit.
Ndërkohë ka pasur shumë reagime lidhur me paralajmërimin e Vetëvendosjes për të bllokuar dy pikat kufitare me Serbinë. Përveç kryeministrit Hashim Thaçi, kundër këtij aktiviteti të Vetëvendosjes është shprehur edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith.