14 maji/ Veliaj: Kandidatët e opozitës, kukulla të Metës dhe Berishës. Demokratët e Kamzës të bashkohen me ne

Kreu i Partisë Socialiste për Tiranën Erion Veliaj ka prezantuar kandidatët e rinj për anëtarë të këshillit bashkiak në Kamëz teksa shigjetoi kandidatët e opozitës për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Veliaj theksoi se kandidatët e opozitës janë kukullat e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Për këta dy të fundit, ai tha se “janë mjeshtrat që lëvizin telat e kukullave.”
Ai iu bëri thirrje demokratëve të bashkohen me socialistët në këto zgjedhje.
“Ju mendoni se unë e kam këtë debat me dhëndrin tonë këtu në Tiranë, që po kandidon për Saliun? Jo mor jo, këta janë kukulla të shkretët. Këta janë kukulla për ata që janë mjeshtra të kukullave.
Njëherë kishim kukullat me tramin, tani e kemi me taksi dhe me aviona falas. Është kukulla e radhës, por nuk e kemi ne as me policin, as me parukierin, as me dhëndrin tonë. Ne e kemi me ato që janë mjeshtrat e vërtetë.
Të gjithë e dimë që mjeshtrat e vërtetë, ata që janë non grata dhe që Shqipërinë duan ta çojnë gjithmonë e më mbrapa për hallet e tyre, jo për hallet e komunitetit, janë Saliu dhe Iliri.
Ndërkohë që, Shqipëria me Edi Ramën dhe Rakip Sulin duhet të vazhdojë përpara dhe jo mbrapa. Dhe kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Veliaj ftoi demokratët e Kamzës që t’i bashkohen Partisë Socialiste pasi sipas tij, përfaqësuesit e opozitës i braktisën ata për 4 vite rresht.
“Miqtë e mi, unë dua që këto 37 ditë të flasim edhe me palën tjetër. Vota është një gjë e shtrenjtë, por është kontratë. Ne Rakipin po e marrim në punë, nuk po e marrim dhëndër. Ne duam një kalë të fortë që mund të mbajë pesha dhe nëse ka mbajtë pesha gjatë pandemisë dhe tërmetit, të mbajë edhe pak më shumë pesha. Po e marrim si shërbëtor, por ata që ikin 4 vjet nga puna nuk mund të jenë shërbëtorët tanë. Si mund të bësh një kontratë me dikë që ta lë në derë, ta lë në derë dhe ikën. Ndaj, miqtë e mi dua që të flasim me kolegët e tjerë, nuk janë armiqtë tanë, janë motra dhe vëllezër”, u shpreh Veliaj.
/rtsh.al/