E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji/ Veliaj me banorët e Dajtit e Shëngjergjit: Asnjëherë s’është vonë të kthehesh në drejtimin e duhur

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi këtë të enjte (11 maj) një takim me banorët e Tufinës, Freskut, Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit. Teksa kanë mbetur edhe pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, Veliaj e konsideroi fushatën elektorale “një fushatë model”.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm! Por, ne nuk jemi bashkë vetëm për fushatë. Kemi qenë këtu edhe kur s’ka pasur fushatë. Sa e kishim fituar betejën e fundit kur ra tërmeti dhe treguam që s’ishim nga ata që duken një herë në 4 vjet. Kemi qenë me Xhemalin dhe drejtuesit tanë në çdo shtëpi, që kishte nevojë të ngrihej, në çdo familje që kishte nevojë për dashuri, në çdo të moshuar e të vetmuar, që kishte nevojë për mbështetje. Jemi forca politike që quhet Partia Socialiste, edhe kur ka shi, edhe kur ka diell, edhe kur ka tërmet, edhe kur ka pandemi, edhe kur jemi shëndoshë e mirë sepse një familje është gjithmonë bashkë dhe kjo është familja jonë”,  tha Veliaj.

Ai i kërkoi qytetarëve votën, teksa tha se ajo nevojitet “për të vijuar me investimet e mëdha”.

“Sot jemi në një situatë ku kemi shumë punë që i kemi nisur dhe i kemi në gjysmë të rrugës. Ashtu si një njëri që ndërton çatinë e vet, nuk ndërton vetëm gjysmat e tjegullave, duhet të mbarojë e gjithë çatia. Ashtu si dikush që lyen murin, nuk lyen vetëm gjysmën e murit, duhet të lyejë të gjithë murin. Ashtu edhe Tirana jonë, e ka nisur mbarë, por siç kemi bërë gjysmën e Unazës së Madhe nga sheshi Shqiponja deri në Farkë të Madhe, tani duhet të kalojmë te zonat e Xhemalit, të vijë Unaza në Dajt, në Tufinë, e të vazhdojë derisa të dalë në Paskuqan”, nënvizoi Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›