E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fushata elektorale/ Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Dërgimi i mesazheve nga subjektet zgjedhore te qytetarët, i paligjshëm

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ka dënuar mesazhet e dërguara automatikisht për qytetarët nga subjektet zgjedhore, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Në një reagim, Dervishi shprehet se është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh, gjë që e cilëson në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së lëvizshme. Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale”, thuhet në reagim.

Më tej, Komisioneri bën me dije se do të hetohet çdo rast i shkeljes së ligjit, ndërsa i bën thirrje subjekteve zgjedhore që të ndalojnë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

“Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik. Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale”, shprehet ai.

Fushata elektorale/ Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Dërgimi i mesazheve nga subjektet zgjedhore te qytetarët, i paligjshëm

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›