E Shtunë, 31 Tetor 2026

1.4 mln $ për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik

DURRËS -Qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 1.4 milion $ për objektin më të rëndësishëm arkeologjik në Durrës. Bëhet fjalë për rikonstruksionin dhe sistemimin e Muzeut Arkeologjik të këtij qyteti. Kreu i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Durrës, Ermion Arapi pohon se brenda një kohe të shkurtër do të shpallet tenderi për të përcaktuar firmën fituese që do të merret me punimet. Sipas personave përgjegjës për objektet e antikitetit, punimet nuk do të pengojnë vizitorët që të frekuentojnë këtë muze gjatë sezonit veror. Në Muzeun Arkeologjik ka një numër të madh objektesh, të cilat janë të ekspozuara, si dhe një sasi tjetër që bën pjesë në fondamentin e tij.
FONDI
Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Kulturës ka planifikuar shumën prej 1.4 milion dollarësh për Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Sipas Ermion Arapit, "me këtë fond do të kryhet rikonstruksioni dhe riparimi i muzeut. Më konkretisht do të riparohet fasada e godinës; do të riparohet çatia pasi rrjedh; do të kryhen punime mekanik; ndërhyrje në rrjetin elektrik; do të sistemohet oborri dhe më e rëndësishmja, do të vihet në eficencë kati i dytë i muzeut". Meqenëse fondi është bërë aktiv, shumë shpejt do të kryhet tenderi për të shpallur firmën fituese, e cila do të realizojë punimet. Tenderi parashikon përdorimin e të gjithë investimit pa e ndarë atë. Por, qeveria fillimisht do të vërë në përdorim 35 milionë lekë dhe pasi të konsumohet kjo shumë, do të hedhë edhe pjesën tjetër.
SISTEMIMET
Në Muzeun e Durrësit është i vizitueshëm vetëm kati i parë i tij, ndërsa kati i dytë për mungesë të parave ka mbetur i pavizitueshëm. Projekti parashikon vënien në eficencë të tij.
Në muze janë të ekspozuara rreth 2100 objekte, ndërkohë që në fondament bëjnë pjesë edhe rreth 300 objekte të tjera. Gjatë zbatimit të projektit, specialistët e fushës do të përcaktojnë jo vetëm objektet që do të mbushin eksponatet e katit të dytë, por do të shikojnë mundësinë për një sistemim tjetër të katit të parë për të shtuar objektet antike. Drejtori i Monumenteve, Ermion Arapi pohon se "meqë punimet do të realizohen gjatë sezonit turistik, do të biem dakord me firmën që punimet të mos pengojnë flukset e turistëve që do të kenë dëshirë të vizitojnë muzeun".Ndërkaq, për herë të parë do të sistemohet edhe oborri i muzeut, i cili në një farë mënyre është transformuar në një magazinë fushore ku janë hedhur andej-këndej objekte të ndryshme. Kishte kohë që fondet për mbajtjen në këmbë të këtij objekti ishin dhënë me pikatore. Ndërkohë, pak muaj më parë ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj deklaroi në shkallët e amfiteatrit antik shifrën prej 1 milion dollarësh në dobi të kësaj vepre të lashtë. Këto para, sipas tij do të shërbejnë për shpërnguljen dhe sistemimin e banorëve, të cilët jetojnë në elipsin e kësaj vepre. 

(G.Sh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›